Pas mureve të çdo jetimoreje gjallojnë histori të ndryshme dhembjeje, braktisjeje, po vogëlushëve gjithnjë e më shumë u ofrohen kushte dhe shërbime për ta nisur jetën pa barrën që mbart fillimi i trishtë i historisë së tyre. Nga sot, vogëlushët e Shtëpisë së Foshnjes në Durrës do të jetojnë në një godinë të rikonstruktuar plotësisht falë një partneriteti publik-privat, që së fundmi po zbatohet dhe nga bashkia e qytetit bregdetar të Durrësit. Godina e ndodhur në lagjen nr.7 të qytetit ofron kushtet e një shtëpie moderne dhe të ngrohtë, ndaj kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako i bën thirrje bizneseve të shumta që veprojnë në zonën e Durrësit dhe Tiranës, po dhe më gjerë, të reagojnë për të investuar në fushën e shërbimeve publike sociale, duke zbutur problematikat e kategorive më në nevojë të shoqërisë.
Edhe për drejtuesen e Shtëpisë së Foshnjes Mimoza Xhelilaj, kontribute të tilla janë të vlefshme pasi zbusin pasojat sociale duke u ofruar fëmijëve jo thjesht strehë të ngrohtë dhe komode, por edhe një synim për të ardhmen. Sipas Xhelilajt, një tjetër problematikë në Durrës mbetet dhe trajtimi i fëmijëve në situatë rruge. Kohët e fundit janë trajtuar dy fëmijë në gjendje emergjence dhe kjo situatë duket se po merr vëmendjen e bashkisë, e cila ka planifikuar të akordojë një fond për një godinë të veçantë për shërbim 72-orësh ndaj fëmijëve që kalojnë situata të rënda në familjet e tyre dhe kërkojnë ndërhyrje të specializuara.
Vitin e kaluar morën shërbimin në dy shtëpizat e foshnjave që ka Durrësi 24 fëmijë të grupmoshave 0-6 vjeç dhe 24 të tjerë si ditorë. E themeluar në vitin 1957, jetimorja e Durrësit, edhe nën ndërhyrjen e donatorëve të huaj që nisi vite më parë me fondacionin anglez “Hope and Homes for Children”, është shndërruar në një institucion familje për fëmijët nga 0-6 vjeç që jetojnë në këto ambjente në pritje të birësimit, apo dhe kthimit pranë familjeve të tyre biologjike.
V.Q.
Lajm Shqip
11/10/2017