TIRANË- Padyshim të gjithëve iu kujtohet një prej skenave të filmit “Kapedani”, ku aktori kryesor përballet në një prej urbanëve të qytetit me një faturino femër. E nëse në kohën kur është xhiruar filmi, një profesion i tillë ishte normal për një grua, në ditët e sotme femrat që zgjedhin të bëjnë këtë punë mund të numërohen me gishtat e njërës dorë. Më saktë, në linjat urbane të kryeqytetit janë vetëm 3 të tilla, ndërsa njëra prej tyre ndan sot me ne disa nga perceptimet e saj për këtë profesion në zhdukje për gjininë femërore. Në fakt, kur e shikon për herë të parë, menjëherë të kujtohet i njëjti imazh filmik: një grua e rreptë, e ashpër dhe serioze. Por, pas asaj fytyre, ndoshta e imponuar edhe nga puna që bën, fshihet një grua si gjithë të tjerat. Megjithatë, toni me të cilin flet, lë të kuptosh se me siguri do të kishte dashur të bënte një tjetër punë: më të rehatshme dhe më të sigurt për një femër. Ajo quhet Shpresa dhe është 57 vjeçe, ndërkohë që ka plot 33 vjet që punon si faturino. Ne e takojmë në punën e saj të përditshme, në linjën e autobusëve Kombinat-Kinostudio. Ndërsa ndan me ne eksperiencën mes dy regjimeve, atij komunist e këtij demokratik.
Shpresa, ti punon faturino. A është e lodhshme si punë?
Po si nuk është e lodhshme. Shumë e lodhshme është.
Cila është vështirësia më e madhe?
Ke të bësh me lloj-lloj njerëzish. Kjo është puna më e keqe për një grua.
Sa vjet ke që punon?
Kam 33 vjet punë.
Ti ke punuar gjatë regjimit komunist dhe atij demokratik. Mendon se ka ndryshim mes tyre?
Në atë kohë ishte ndryshe. Kishte qetësi e siguri, ndërsa tani nuk je e sigurt për asgjë.
Po pagesa si është?
Shumë keq është. Një rrogë 10 mijë lekë në muaj. Është 20 mijë si rregull po ne nuk punojmë, aq punojmë, se janë të prishura makinat.
Pse e ke zgjedhur këtë profesion?
Po koha e Enverit atëherë, këtë na dhanë.
Do të doje të kishe ndonjë profesion tjetër?
Eh. Iku ajo punë. Tani jemi në prag të pensionit.
Do të doje që fëmijët e tu të kishin të njëjtin profesion?
Jo, jo, në asnjë mënyrë. Nuk është punë për t’u bërë. Është shumë e vështirë dhe me këto kohë që kanë ardhur ke frikë nga çdo gjë. Të zgjedhin ndonjë gjë tjetër.
27.11.2012
Burimi: Balkanweb