Nga Gentian Gaba
Europa ” lost in translation”; Ballkani “lost in transition
Lajmi i mirë nga turi dyditor i dërgatës europiane në Shqipëri mund të përmblidhet me fjalinë: “Mos na e transferoni ne këtë problem për ta zgjidhur, duhet të zgjidhet nga shumica dhe pakica e këtij vendi”.
Duke refuzuar kësodore rolin e ndërmjetësit në një krizë që është e jona dhe zgjidhja e së cilës duhet gjetur midis nesh. Ndërsa lajmi i keq, që në fakt nuk është një lajm i ri, është gjuha e drunjtë me të cilën kamuflojnë mungesën e vullnetit për të parë përtej nevojës për stabilitet me çdo çmim.
Edhe pse ky ‘stabilitet për hir të stabilitetit’ po kalcifikon fenomene negative që varfërojnë në mënyrë eksponenciale demokracinë në vendin tonë dhe jo vetëm. Revolta e opozitave në tre shtete ballkanike, bashkë me tonën edhe ato të Malit të Zi dhe Serbisë, të cilat po refuzojnë të mbajnë mbi supe peshën e farsës së autokracive, të pispillosura si demokraci funksionale, janë këmbana të qarta alarmi për momentin në të cilin ndodhet rajoni edhe për shkak të miopisë së Brukselit.
Prova të kësaj qasje të gabuar nuk lexohen vetëm në atë që sot quhet “Pranvera ballkanike”, por edhe në deklaratat e eurokratëve, që me qëndrimet e tyre, refuzojnë të kuptojnë këtë shqetësim që ka marrë përmasa rajonale. Për ekonomi leximi, mund të veçojmë atë që tha z. Cristian Preda, një nga shtatë eurodeputetët që javën e shkuar vizituan Shqipërinë. I pyetur për akuzat që janë ngritur mbi mazhorancën për shkak të dosjes 339, pasi lavdëroi “optimizmin tragjik” të kryeministrit Rama, Preda dha një përgjigje fare pranë gjendjes së dikujt që vuan nga disonanca konjitive (gjendje parehatie që përjetojmë nga të paturit e dy besimeve konfliktuese).
Eurodeputeti u revoltua kur zgjedhjet u cilësuan si të manipuluara, pasi ai vetë kishte qenë një vëzhgues në atë ato votime. Madje shtoi se ekspertët e BE-së janë më të mirët në botë, dhe kontestimi nga ana e opozitës nuk mund të pranohet. Pa cytur integritetin e vëzhguesve ndërkombëtarë (fundja duhet përsëritur përherë se Niçja në Shqipëri është gangster dhe jo filozof siç mund ta pandehin ata), në zgjedhjet e 2017, vrulltas mund të vërejmë një mospërputhje logjike me atë që eurodeputeti deklaron.
Duke mbrojtur profesionalizmin e tij, nuk pranon të pajtohet me informacionet zyrtare post facto (përgjimet e publikuara një vit e gjysmë pas fakteve të 25 qershorit), që ndryshuan në mënyrë rrënjësore panoramën politike të vendit. Kjo qasje, shumë më afër konceptit të “pagabueshmërisë papnore” sesa çudisë naive të një eurodeputeti që nuk kupton se aktorët që tjetërsuan zgjedhjet nuk e kryen aktin në qendrat e votimit, por jashtë tyre, është emblematike e momentit në të cilin ndodhet Ballkani edhe për shkak të ‘kryeneçëve të stabilitetit’.
Megjithatë, ky zemërimi i gjerë dhe i përgjithshëm i shqiptarëve, serbëve dhe malazezëve ndaj autokratëve me licencë europiane, duket se do të jetë përcaktues për fatin e odisesë së gjatë të tranzicionit në këto treva. Pasi, nga momenti që Europa ka hyrë në një fazë që mund të quajmë “lost in translation” (të humbur në përkthim), në të cilën nuk po duan apo nuk po arrijnë të kuptojnë gjuhën e protestës së këtushme; qytetarët e Ballkanit Perëndimor janë qartësisht të lodhur nga gjendja “lost in transition” (të humbur në tranzicion), në të cilën diktatorucët gjallojnë, dhe për pasojë edhe purgatori që është sot procesi i integrimit.
Pra, duke legjitimuar Gjukanoviçin, Ramën dhe Vuçiçin, Europa po delegjitimon kredibilitetin që gëzon te qytetarët e kësaj qoshke të brishtë të kontinentit; për pasojë mund të korrë rezultate krejt të kundërta për rendin dhe sigurinë.
Ndërsa për demokracinë, mund të ketë ende shpresë, atë e kanë në dorë protestuesit.
Visar Quni
05.03.2019