Ermal Meta është i pari shqiptar që fiton festivalin e Sanremos.
“E treta, e vërteta”, është shprehja që do t’i përshtatej rastit të 36 vjeçarit nga Fieri i cili pas dy debutimeve solo, ja doli këtë herë të tretë në bashkëpunim me kantautorin Fabrizio Moro të fitojë festivalin e Sanremos.
“Non mi avete fatto niente” (Nuk më keni bërë asgjë) titullohet kënga fituese e Sanremo 2018.
Kjo këngë mbart një mesazh aktual, një mesazh paqeje, kundër të gjithë konflikteve që po ndodhin sot në botë për shkak të terrorizmit.
Ermal Meta e nisi karrierën muzikore herët, fillimisht si kitarist i grupit Ameba4 dhe më pas si këngëtar në grupin La Fame Di Camilla.
Por suksesi i tij i vërtetë mbërriti vetëm dy vite më parë.
Si solist, në festivalin e Sanremos së vitit 2016 arriti të njihej me këngën “Odio le favole”.
Një vit më pas, në moshën 35 vjeçare sërish në Sanremo pati një sukses edhe më të madh me këngën “Vietato Morire”.
Këngë që i dha çmimin e tretë dhe atë të kritikës.
Vjet ai qe gjithashtu pjesë e jurisë së një prej spektakleve më të njohura për zbulimin e talenteve të reja, “Amici”.
Ermal Meta është një ndër ata shembuj që na tregojnë se nuk duhet të heqim kurrë dorë.
Në rastin e tij vlen shprehja më mirë vonë se sa kurrë.
Në Sanremo 2017, Meta bashkoi fuqitë me një ndër kantautorët më të njohur dhe talentuar italian, Fabrizio Moro.
Edhe për Fabrizio Moron është hera e parë që shpallet fitues i festivalit të Sanremos.
Moro ka fituar edhe kategorinë e të rinjve në vitin 2007 me këngën “Pensa”.
Ermal Meta dhe Fabrizio Moro shpallen fitues të Sanremo 2018
Meta ka përfshirë edhe pjesë nga identiteti i tij shqiptar në këtë sukses të fundit.
Në klipin prezantues të këngës “Non mi avete fatto niente”, këngëtarët kanë zgjedhur të përfshijnë me titra përkthime të tekstit në gjuhë të ndryshme të botës.
Në katër raste ndodh që teksti të jetë i përkthyer në gjuhën shqipe.
Dhe jo më kot fraza më e bukur, ku shfaqet motivi i paqes është përzgjedhur të jetë në shqip.
Bëhet fjalë për frazën paqedhënëse: “Lumturia fluturonte”.

Dy kantautorët e talentuar bashkuan forcat këtë herë, dhe ja dolën të fluturonin lumturisht prej gëzimit të fitores së një çmimi të rëndësishëm për karrierën e tyre.
Klajdi Thaçi
11.02.2018