Nuk ka shkodran që të mos e ketë dëgjuar emrin e tij. Tani emri i tij ka dalë sërish në skenë. Por sepse kësaj radhe ai është ekzekutuar.
Bëhet fjalë për Gjon Gjekën, një emër me të cilin lidhen disa krime të bujshme në vitin 1997 në qytetin verior.
Policia ka shoqëruar mbi 30 persona pas vrasjes së misionarit të paqes, siç njihej së fundmi.
Por sipas Panoramës, dyshimet janë se Gjeka është ekzekutuar nga vrasës me pagesë. Këta e kanë pritur me motor poshtë pallatit të tij, derisa është afruar dhe e kanë qëlluar me tre plumba në gjoks.
Policia dyshon se vetëm persona profesionistë mund ta kryenin një krim të tillë.
Gjeka është ndaluar tre herë nga policia. Fillimisht i dyshuar se ka vjedhur degën e Thesarit në vitin 1997, më pas për armëmbajtje pa leje dhe më vonë për mashtrimin e një biznesmeni.
Në të tre rastet ka dalë i pafajshëm.
Familjarët e tij kanë deklaruar në polici, sipas Panorama, se “përmendja e emrit të Gjon Gjekës në ngjarjet e vitit 1997 ka të bëjë me faktin se ai ka marrë në mbrojtje shumë biznese dhe biznesmenë në ish- zonën industriale dhe për këtë e di e tërë Shkodra. Bëmat e tij në ato vite kanë qenë më shumë pjellë e fantazisë së qytetit, sesa kanë qenë reale”.
18.02.2013
Burimi: Gazeta Tema