Flet e ëma e 20-vjeçarit të vrarë: ‘Kishte shkuar në Islandë për një jetë më të mirë’
Flet e ëma e 20-vjeçarit të vrarë
Klevis Sula, 20 – vjeç, ndërroi jetë të premten, pasi u godit me thikë në Austurvöllur në Islandë.
Duke folur për Stöð 2, e ëma e të riut shqiptar, tha se djali i saj e kishte përshkruar Islandën si një vend tepër të sigurt dhe se i pëlqente shumë jetesa atje.
“Ishte një djalë i mrekullueshëm dhe dëshironte të ndihmonte këdo.
Fliste me superlativa për islandezët dhe i pëlqenin njerëzit atje”, tha nëna e të riut nga Çorovoda, Natasha Sula.
Ajo shtoi më tej se, Klevisi ishte shumë i lumtur që ishte në Islandë.
Sipas asaj që është publikuar në mediat vendase, por edhe dëshmive të miqve të shumtë të 20-vjeçarit në rrjetet sociale, vdekja e të riut erdhi pasi Klevisi iu afrua një burri që po qante, me gjasë për ta ndihmuar.
Autori iu kthye duke e goditur me thikë atë, së bashku me mikun e tij.
Ky i fundit, sipas mediave, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Natasha Sula udhëtoi drejt Islandës pas sulmit së bashku me vëllain e 20 – vjeçarit.
Ajo rrëfeu për mediat se i biri i kishte folur për sigurinë në këtë vend, duke i thënë se asgjë nuk ndodhte kurrë atje.
“Nuk mendonim se kjo mund të ndodhte këtu.
Klevis na kishte treguar se asgjë e keqe nuk ndodhte kurrë në Islandë.
Ai kishte ardhur këtu për të punuar dhe për një jetë më të mirë”, tha më tej në rrëfimin e saj, znj. Sula.
Vdekja e të riut shqiptar ka tronditur opinionin publik atje dhe tërhequr një vëmendje të madhe në mediat islandeze.
Një llogari bankare u hap për shpenzimet e varrimit të tij dhe apelit për ndihmë iu përgjigjën shumë qytetarë.
12.12.2017