Në gjendje të rëndë psikologjike gruaja që ekzekutoi burrin e saj në pazarin e Milotit, ka dalë para Gjykatës. Violeta Donaj ka qarë në sallën e gjyqit, ndërsa ishte në pritje të vendimit për masën e sigurisë. Gjykata e Laçit vendosi “arrest me burg” dhe çështja i kaloi Krimeve të Rënda. 35-vjeçarja e cila vrau me katër plumba burrin e saj Kujtim Donaj kërkoi falje dhe u lut para gjykatës, por kjo nuk i shërbeu për asgjë.
Ajo ka thënë që vërtet kishin probleme në çift, por nuk e beson pse shkoi derisa ta vriste babain e dy fëmijëve të saj.
Ekzekutoi burrin te tregu i Milotit, Violeta kërkon falje në gjykatë …
Tregtarët në Milot, mëngjesin e ditës së dielë, u bënë dëshmitarë të një krimi të rëndë. Gruaja 35-vjeçe, ekzekutoi me katër plumba, bashkëshortin e saj 42-vjeç.
Sipas të dhënave policore mësohet se gruaja udhëtoi e vetme nga Rrësheni drejt Milotit me makinën e saj. Ajo ka hyrë në treg duke shkuar drejt e te tezga ku shiste i shoqi.
Referuar të dhënave nga qyteti i Rrëshenit, vend në të cilin banonte familja Donaj, konkretisht Kujtimi me bashkëshorten, vajzën e djalin e tyre, tregohet se ata njihen për familje të urtë.
Fqinjët e pallatit ku banonin Donajt bëjnë me dije se në fakt, Violeta ishte tip i mbyllur dhe nuk kishte shoqëri të hapur me banorët. Ajo shiste edhe vetë rroba, por në Rrëshen. Kurse të dielave, burri i saj Kujtimi merrte rrobat dhe zbriste në Milot ku kishte një tezge të vetën, pikërisht aty ku iu mor edhe jeta.
Për lajm-shqip:
Jorida Fataj
20.06.2018