PARIS – Aktorja franceze Eva Ionesco, e bija e fotografes së njohur Irina Ionesco, ka çuar në gjykatë nënën e saj, për ta detyruar të mos publikojë më fotografitë e saj, të realizuara në vitet ‘70, kur aktorja ishte nga 4 deri në 12 vjeç.
Fotot janë cilësuar si të tepruara dhe abuzive nga vetë aktorja, e cila ka kërkuar nga e ëma një dëmshpërblim prej 200 mijë eurosh për atë që e konsideron si “vjedhje të fëmijërisë”.
Eva Ionesco ishte modelja më e re që u shfaq nudo në kopertinën e Playboy, në vitin 1976, kur ishte vetëm 11 vjeç.
Në vitin 2011, ajo realizoi edhe një film, për të cilin tha se u frymëzua nga historia e jetës së saj, të titulluar “My Little Princess”.
Avokati i aktores, Jascques-Georges Bitoun, u tha gjyqtarëve se është e papranueshme që t’i bësh fotografi me këmbë të hapura një vajzë të mitur vetëm 4 vjeç.
“Nëse e konsideroni art një gjë të tillë, atëherë unë nuk kuptoj asgjë nga arti.”- u shpreh avokati i aktores.
Nga ana tjetër, pala mbrojtëse e arsyetoi gjithçka me urrejtjen që Eva Ionesco ka për nënën e saj, duke pretenduar se akuzat e saj janë të pabaza. Seanca e radhës është caktuar për në 17 dhjetor.
13.10.2012
Burimi: Balkanweb