Për tre ditë radhazi aktorët e teatrit ‘Bylis’ janë miq në sofrën gjirokastrite. Bëhet fjalë për komedinë ‘Dy duzina me trëndafila’ vënë në skenë nga aktorët fierakë.
‘Dy duzina me trëndafila’ mbijnë në Gjirokastër për tre ditë.
Trupa teatrore përbëhet nga aktorët e njohur Klajdi Marku, Fatmir Xhelili dhe Miola Sitaj. Tema e shfaqjes ka nuanca të aktualitetit ndaj dhe salla e teatrit “Zihni Sako” ka qenë e tejmbushur me shikues. Trupa teatrore e Fierit ka nisur një turne në disa qytete të vendit. Këtë radhë nën kujdesin dhe përkrahjen e kryebashkiakes Zamira Rami, aktorët fierakë zgjodhën publikun e Gjirokastrës.

Kjo komedi mbart në vetvete dhe një histori reale të dhimbshme. I gjithë brumi artistik është i aktores Dafina Llupi. Ajo ndërroj jetë dy vite më parë në moshën 26 vjeçare. Llupi, vajza e aktorit të njohur Todi Llupi, me këtë komedi të prodhuar nga ajo vetë mbrojti temën e diplomës për aktore. ‘Dy duzina me trëndafila’ është vazhdim i ëndrrave skenike të aktores që tashmë nuk jeton më. Në dy netët e para në Gjirokastër, loja e aktorëve fierakë është ndjekur me shumë interes.
Sot në natën e fundit salla është prenotuar nga publiku me të gjithë kapacitetin e vendeve.
Për Lajm-Shqip:
Vladimir Muçaj