Dy anët e kundërta të medialjes: Policët e “Habilajve” dhe ata të 2 Prillit 1991
Analizë nga Ylli PATA
Dy anët e medialjes
Kur flitet për tranzicionin shpesh situata kalon në klishe dhe dilemma.
Nëse kritikat apo mallkimet janë kthyer më shumë në një “parafabrikat” sesa në një realitet është gjithmonë prezente.
Por ama nëse krahason situate, zhvillime apo edhe ndodhi me epokat e ndryshme në Shqipëri bindesh se këtu vetëm klishe nuk është asgjë.
Rasti më i fundit është arratisja e tre oficerëve të lartë të policisë shqiptare, që kërkoheshin nga prokuroria për çështjen “Habilaj”.
Bëhet fjalë për jo punonjës të thjeshtë po për: Ish-drejtorin e policisë së Vlorës Jaeld Çela, ish-shefin e postës Kufitare Dhërmi, Sokol Bode dhe ish-shefin e Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar në drejtorinë e Vlorës, Gjergji Kohila, që shkuan që të arrestohen nga policia por nuk gjendeshin në banesë.
Ikja e tyre përbën një akt jo thjesht të rëndë, por kulmi që mund të ndodhë nga një ushtarak apo officer policie.
Kjo tregon se ata nuk ishin as ushtarakë e as policë. Në një ditë të keqe ato ja mbathën, siç mund t’ja mbathnin edhe në kohë lufte apo kaosi.
Emërimi i tyre ka qenë një skandal, pasi ata, oficerë policie nuk ishin asnjëherë.
Edhe pranvera e frikshme e 1997-s ishte një dëshmi sesi njerëzit e emëruar nga rruga në polici bastisën dhe braktisën detyrën duke lënë qytetarët në mes të rrugës, në mëshirën e bandave.
Por më vonë u bë më keq. Policët ishin vetë bandat.
Për ta krahasuar sjelljen e këtyre lloj policëve, mjafton të marrësh një rast tipik të fillim viteve më parë. Aty ku dhe figura e ushtarakut apo e policit duket më kollaj.
Bëhet fjalë për oficerët e policisë së 2 prillit 1991, të cilët u arrestuan, u linçuan publikisht dhe u dënuan për vrasjen e 4 personave në mitingun e PS-së së Shkodrës.
Kur nuk kishte asnjë fakt apo provë se kush i vrau protestuesit.
Po rata oficerë policie nuk ikën, por priten prangat me gjak të ftohtë.
Ndonëse Çapajev Taçi, ish-kryetar i Degës së Punëve të Brendshme Shkodër, Haredin Shyti, ish-Zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Dilaver Papare, ish-Shef i Policisë Shkodër dhe Gjeke Çelaj, ish-Zëvendësshef i Policisë Shkodër, u akuzuan që në orët e para të ngjarjes tragjike të 2 prillit, as nuk tentuan t’i shmangeshin qoftë edhe për një moment organit të hetimit, e jo me të largoheshin në drejtim të paditur !
U thirren disa herë nga grupi i hetimit të kësaj ngjarjeje, dhe u arrestuan në muajin qershor 1991.
Domethënë, u arrestuan 3 muaj pasi ndaj tyre kishin nisur hetimet.
Po te donin, ata mund të kishin ikur nga Shqipëria kurdo gjatë atyre tre muajve.
Pasi as që bëhej fjalë për kufi, as për polici kufitare, as për kontrolle në Rinas.
As për TIMS, as per Interpol, as për SHISH, as për SHÇB, as për përgjime, as per çip.
As prej gjë prej gjëje që mund t’i ndalonte, sepse Shqipëria në atë periudhë ishte han pa porta!
Megjjithatë nuk u larguan, edhe pse e dinin shumë mirë se do të arrestoheshin.
Edhe pse e kuptuan se do të dënoheshin,pavarësisht akuzës më të çuditshme të dëgjuar ndonjëherë “vrasje indirekte”!
Madje, Dilaver Papare pati deklaruar para trupit gjykues në Shkodër gjatë seancës gjyqësore se:
“ne njësoi në sallën e gjyqit do të përfundonim, si të vepronim si të mos vepronim më 2 prill”.
Siç dhe pritej, u dënuan nga 13 deri me 23 vjet.
Tani, krahasojeni atë periudhe, atë ngjarje dhe ata ish-oficerë të policise, me sot!
Oficerë e drejtues të nivelit të mesem të policisë me grada, me kushte ku e ku më të mira pune, të trajnuar me standartet e larta policore, me gjuhë të huaja e të tjera e të tjera, largohen “në drejtim të paditur” sapo marrin vesh se është firmosur për ta një urdher arresti.
Dënimi
Shefi i policisë së Shkodrës më 2 prill, Dilaver Papare, e kishin dërguar për të vuajtur dënimin në burgun e Sarandës.
Në marsin e vitit 1997 kur u shpërthyen edhe burgjet, nga burgu i vetmi që nuk u largua ishte Dilaver Papare.
Dhe kur dikush nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve telefonoi për të mësuar se cç’kishte ndodhur në burgun e Sarandës, ai iu pergjigj:
“Në telefon paraqitej Dilaver Papare, duke u prezantuar si ish-Shefi i Policisë së Shkodrës, i dënuar për ngjarjet e 2 prillit”.
Zyrtari i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve mbeti i befasuar se si Papare nuk ishte larguar.
Edhe pse burgu ishte shpërthyer, por mori pergjigjen:
“unë si ish-oficer policie, edhe pse jam i dënuar, nuk mund të largohem dhe ta lë burgun pa njeri”!
Për Lajm Shqip
Ylli PATA