TIRANË- Dritan Dajti, i akuzuar për vrasjen e 4 oficerëve të policisë më 7 gusht 2009 ashtu sikurse kishte paralajmëruar në seancën e sotme gjyqësore tentoi të rrëfejë vrasjet në Tropojë.
Dajti është ndërprerë nga gjyqtari i çështjes me pretendimin se i pandehuri është jashtë objektit të gjykimit. Dajti ka kundërshtuar teksa ka thënë se mban përgjegjësi për deklaratat që bën, ndërkohë i është drejtuar trupës gjykuese duke i thënë : Ju e dini se çfarë ka ndodhur në Tropojë në vitin 1997.
Dajti është larguar nga salla ndërkohë që seanca e radhës pritet të mbahet më 13 shtator.
Seancën e shkuar Dajti këmbënguli se efektivi i policisë Saimir Duçkollari është ekzekutuar nga një prej kolegëve të tij, konkretisht F.G. Dajti i tha trupës gjykuese se Duçkollari është vrarë me plumb pas shpine teksa tha se ish-shefi i grupit drejtues për kapjen e tij Arjan Muça ka gisht në vrasjen e policëve në Tropojë.
Gjykatës nuk i intereson e vërteta. Ajo ka frikë nga “Kutia e Pandorës”.Nëse gjykatësdo t’i ndodhë diçka, nuk e ka nga unë, por nga Arjan Muça, që po i mbron sot. Arjan Muça është i implikuar në vrasjen e policit Medi Vatoci në Tropojë dhe në një vrasje tjetër në Tiranë” ka theksuar Dajti, duke shtuar se mban përgjegjësi penale për gjithçka që deklaron.
Dritan Dajti akuzohet se më 7 gusht 2009, ekzekutoi efektivët e policisë, Saimir Duçkollari, Altin Dizdari, Fatos Xhani dhe Kastriot Feskaj.
Një seancë më parë, Dajti deklaroi se Duçkollari është ekzekutuar një nga prej kolegëve të tij.
24.07.2013
Burimi: Balkanweb