Një ditë në shtëpinë muze të Marigosë në Hoçisht të Devollit. Hoçishti, fshati i qetë, rrethuar me kisha të shumta, në zemër të tij mban një copëz historie.
Të ngjashme mund të lexoni:
Pa shkuar në Kishën e Shën Anargjendëve apo Satrivacit, ngrihet shtëpia muze e Marigo Posios.
Ajo është qendistarja e flamurit shqipëtar. Shtëpia e Marigo dhe Jovan Pozio është rindërtuar dhe kthyer në muze nga pasardhësit e tyre.
Shtëpia e çiftit Posio është rindërtuar vetëm me kontributin e stërmbesës së Jovanit.
9 vite më parë kanë nisur punimet për të rikthyer shtëpinë ku u qendis flamuri nga Marigo Pozio.
Një amanet i lënë nga nëna e Violetës, por edhe vëllai i saj i cili ishte bashkëshorti i Marigo Pozios. Për të mos e lënë të zhduket kjo banesë me një histori patriotike është rimëkëmbur nga Violeta dhe bashkëshorti i saj Bardhi.
Përpjekjet e Violetës, stërmbesës së Marigosë zunë fill në vitin 2009. Ajo më e vendosur se kurrë nisi të punojë për rindërtimin e kësaj shtëpie. Peripecitë siç tregon edhe ajo vetë kanë qenë të shumta.
Për Violetën kjo shtëpi dhe muzeu kanë një rëndësi të vecantë.
Ne arritëm që të ngjallnim kujtimin e kësaj gruaje të shquar. Ajo shkriu gjithë jetën në shërbim të kombit. Muzeu le të mbetet kujtim për të gjithë zonën e Devollit për këta patriotë që shkrinë gjithçka për kombin. Fjala e fundit e saj ishte unë do shes gjithë xhevahiret për Shqipërinë, thoshte Marigoja.
E vendosa që do ta bëj shtëpinë dhe ja ku jemi. Me krahë kemi hequr dhera’ e gurë me tim shoq por ia dolëm.”- tha Violeta Pojani.
Në shtëpinë muze cdo gjë është vendosur me një kujdes të vecantë, Violeta e ka pasururar jo vetëm me materiale të rëndësishme historike por edhe me elemente karakteristikë.
Ato nuk gjenden rëndom në cdo banesë. Foto, shkrime, materiale të ndryshme rrethohen me sfondin dominues të së kuqes.
Ngjyrë që jo rastësisht ka kjo banesë. Violeta duket e pandalur në përpjekjet e saj pasi ajo ende mendon sesi të bëjë dicka më tepër.
Asnjëherë nuk mund të ndalesh kur bie fjala për punën dhe sakrificën patriotike të tyre.
Tek –tuk më bie ndonjë gjë e re në dorë dhe me vrap mendoj ku do e vendos. Gëzoj me vete për amanetin e mbajtur”- thotë ajo.
Por muzeu pa të zotët mbetet i mbyllur. Ndaj Violeta e Bardhi të cilët jetojnë në Korçë kanë zgjedhur që të sakrifikojnë edhe më tepër duke i kaluar 3 ditë të javës këtej e 4 andej.
Shtëpia – muze nuk ka shumë vizitorë por banorët e fshatit janë kthyer në reklamuesit e saj më të mirë.
“Të paktë janë ata që e vizitojnë dhe janë kryesisht njerëz nga qytetet e ndryshme të Shqipërisë. Vijnë për kishën e Satrivaçit sepse njihet si vend i shenjtë. Ne u tregojmë edhe për muzeun e Marigosë. Pastaj Violeta i ka merak vetë, i pret me kënaqësi e nuk u kursehet.”- tregon Ligor Temo, banor i fshatit.
Në fshatin Hocisht banesa e vecantë spikat dhe flet vetë ashtu sikundër flet dashuria e atyre që e rindërtuan. Një dashuri që ka mbetur e njëjtë me ndjenjën e patriotizmit që kishin paraardhësit e pronarëve.
Për Lajm-shqip
Ledjona Xheladinaj