Dita e Verës në Elbasan, vendasit në piknik , vizitorët në bulevard
Dita e Verës në Elbasan është festuar jo vetëm nga vendasit të cilët kanë zgjedhur të festojnë duke shkuar për piknik, por edhe nga vizitorët duke ju bashkuar festës në bulevard.

“Ditë vere” edhe natyra sot në qytetin e Elbasanit. Si rrallëherë tjetër , nata ka qenë e freskët dhe dita plot diell e shkëlqim.
14 Marsi është përjetuar në këtë qytet me ritualet shekullore, piknik dhe festime në natyrë. Pa prishur traditën, edhe duke futur elementët e argëtimit ndryshe . Nata e mbrëmshme është shndërruar në “ditë”.
Agimi i festës i ka gjetur mijëra e mijëra njerëz në vendet më piktoreske të rrethinave të qytetit, mes një atmosfere mbresëlënëse. E thënë ndryshe, manifestimi popullor ka “thyer” çdo protokoll zyrtar. Edhe pse këta të fundit janë përpjekur t’i japin festës së Luleve ngjyrat e traditës. Elbasanasit janë “shkulur” pothuajse të gjithë jashtë qytetit.
Ndërsa banorët e fshatrave e shumica e vizitorëve kanë “populluar” qytetin .
Ceremonia e hapjes
Karnavalet e shkollave nëntëvjeçare kanë hapur axhendën e veprimtarive të sotme për Ditën e Verës. Parada e fëmijë me kostumet popullorë dhe maskat shumëngjyrëshe, mes ngarkesave ironizuese e groteske ka nisur nga sheshi para stadiumit. Të inkuadruar në kollona disi rreshtore, hipur dhe mbi karroca të zbukuruara, qindra fëmijë kanë qenë pjesë e dekorit të festës.
Përpara qindra fishekzjarreve në sheshin “Gensher”, ka nisur koncerti i madh festiv me këngëtarët më të zgjedhur nga e gjithë Shqipëria. Dekori ka qenë vetë fasada e kalasë së lashtë , edhe pse futur në një “kioskë” të stërmadhe e me drita shumë. Ndërkohë në lokale, kanë trokitur gotat vendas e të ftuar.
Panairi i 22-të ka çelur portat në pallatin e sportit “Tomor Sinani”. Mbi 50 firma vendase dhe të huaja janë paraqitur në panairin e radhës . Organizim më i mirë se i vjetshmi , por dhe paraqitja e firmave më dinjitoze se vitin e kaluar.
Krosi me bicikleta , lojrat popullore dhe veprimtaritë e tjera sportive i kanë dhënë tjetër gjallëri Ditës së Verës . Festimet e ditës ia kanë lënë sërish vendin natës për të shtruar sofrën e madhe të mikëpritjes dhe bujarisë familjeve elbasanase , që kurrësesi nuk e kanë kaluar pa miq e të ftuar .
Në Krastë e Qafëkrrabë
Pothuajse i gjithë qyteti dhe shumë nga fshatrat, kanë “braktisur” bulevardet me asfalt e pllaka. Sipas dëshirës së tyre , por dhe mundësive , kanë zgjedhur të kalojnë festën e Luleve në natyrë . Kodërkrasta dhe shpatet e Qafëkrrabës kanë qenë më “mikpritësit ”! Mbi 4 mijë vetë , ndoshta më shumë seç ka drurë pishe kanë kaluar drekën në monopate.
Pranvera këtë vit u ka sjellë shpejt lule e gjëlbërim të paanë. Të gjithë kanë marrë ushqim dhe pije me vete . Shumica me mjete urbane gjer në afërsi, por dhe qindra makina janë ngjitur gjer në sheshin dhjetra hektarësh majë kodrës. Elbasani duket si në pëllëmbë të dorës.
Jo pak tregtarë kanë improvizuar lokale verorë ambulantë. Shumica ka festuar në mënyrën e vet më të pëlqyeshme. Sazet popullore kanë bashkuar grupet familjare apo shoqërore. Të rinjtë kanë kaluar jo pak orë nën ritmin e muzikës moderne të një diskoje improvizuese.
Në këtë dekor festiv nuk kanë mbetur pa festues edhe vende të tjera tursitike në kufinj me qytetin. Të mos themi për kodrat e Qafë-Krrabës, që edhe këtë vit kanë shërbyer si pllajat me relaksuese të afro 1 mijë qytetarëve.
Përballë saj, nën fshatin e bukur të Godoleshit, ullishta e Elbasanit, karshi diellit ka “ftuar” po aq sa dhe Krraba. Të privilegjuarit kanë festuar e drekuar tek ulliri i Qejfit. Aty ku Isuf Myzyri, interpretonte së pari çdo këngë të krijuar rishtas.
Përpos tyre, Llixhat turistike kanë, mbledhur të tjerë qytetarë për Ditën e Verës. Festa disa shekullore e ka mbyllur “perden” e saj në mesnatën e mbrëmshme ku dyert e elbasanasve kanë qëndruar përgjatë natës hapur si vetë portat e kalasë dhe siç e kërkon rituali i kësaj feste.
Për Lajm-Shqip
Alfrida Danushi
14.03.2018