Dita e Verës kremtohet ndër shekuj që nga lashtësia dhe vazhdon ta ruajë traditën e saj së bashku me ritet dhe besytnitë deri në ditët tona.
Dita e Verës: si vjen ajo nga lashtësia deri në ditët tona.
Festa Dita e Verës, më 14 Mars kremtohej dhe vazhdon të kremtohet e ndriçuar me të ngrohtin përkëdhelës të diellit pranveror. Në bukurinë e gjelbërimit të njomë dhe në natyrën e lulëzuar të Marsit. Festa organizohet në mjedise te hapura. Kjo, pasi lejojnë pjemarrje masive. Kryesisht në vende të shenjta, tradicionalisht të kohëve pagane. Jo të lidhura me ato politike dhe fetare aktuale. Këngët dhe vallet e amazonave. Të nimfave dhe shtojzovalleve, janë pjesë e piknikut të Ditës së Verës. Organizohen në paraditen e 14 Marsit. Janë komponentë integrale të festës.
Vajzat e reja kërcejnë si amazonat, nimfat e shtojzovallet. Dhe djemtë i ndjekin me valle burrënore e luftarake. Në festën Dita e Verës, ishin dhe janë aktive lojrat dhe garat popullore. Si ato, që zhvilloheshin në tempujt e Artemisë e të Dianës. Lojrat dhe garat në Ditën e Verës shqiptare imitojnë situata me elemente të luftës. Si p.sh, loja e kalasë dibrançe, garat me kuaj, mundje e lirë etj, etj.
Dita e Verës, apo ekuinoksi pagan, shënon kalimin nga dimri në pranverë. Dhe ky kapërcim stinësh, festohet me një mori ritesh pagane te “kodifikuara”, dhe ceremoni gazmore disa ditore, me manifestime familjare dhe kolektive. Të gjitha kulmohen ditën e 14 Marsit. Ritet, ceremonitë dhe manifestimet për këtë feste, e kanë origjinën ne antikitetin e largët pagan. Janë transmetuar brez pas brezi, për shekuj, deri në ditët tona. Dita e Verës mbetet ende e pastër. Festa e të gjithëve dhe mbarëshqiptare, dita hiroshe dhe gazmore e kremtimit të fillimit të pranverës. Dhe gjallërimit të natyrës e të jetës.
Mitet e Ditës së Verës…
Dita e Verës, që e festojmë ne shqiptarët, është e lidhur me mite të lashta. Me festat e hyjneshave Artemise, Diana dhe Zana, që na e përkedhelin ëmbël fantazinë tonë. Deri në atë pikë, sa na hutojnë me bukurinë dhe magjitë e tyre.Festimet për këto hyjnesha janë pjesë integrale e Ditës së Verës tonë. Në tërësinë e tyre shprehin rigjenrimin, ripërtëritjen, kalimin nga bota e “nënëdheshme”. Pra, kalimin nga dimri i ftohtë dhe izolues, me rizgjimin e natyrës, të jetës dhe të spiritualitetit. Me ekuinokset pagane, të lidhura me solsticet, sipas kulturës iliro – arbërore, vihen në lëvizje ritmet e natyrës. Ecin muajt dhe ndahet viti diellor në stinët. Në katër pjesë të barabarta, që janë pauzat dhe kërcimet e valles së madhe kozmike, pjesëtar të cilës jemi dhe ne. Ekuinoksi pagan festohej dhe nga helenet. Ata organizonin pelegrinazhe në tempujt e hyjneshës Artemise.
Nga latinët, që shkonin në tempujt e Diana, në traditën neo-druide, ekuinoksi pranveror quhej, Alban Eiler (drita e tokës). I referohej diellit dhe ditës, që barazohej me natën. Po kështu, popujt nordikë, ditën e ekuinoksit organizonin festa për nder të Ostara, hyjnesha antike e agut (alba). Por dhe hyjnesha e pranverës dhe e dashurisë, është ekuivalente me hyjneshën Freya e popujve skandinavë (vikingët). Të gjitha këto festime të shenjta të popujve të tjerë, kanë si temë qendrore pranverën. Ripërtritjen e natyrës, kalimin nga dimëri letargjik, në rizgjimin e natyrës dhe gjallërimin shpirtëror.
Me çfarë lidhet kjo festë pagane?
Dita e Verës shqipëtare festohet nga e gjithë fshatarësia malësore dhe fusharake. Kjo festë eshte e lidhur ngushtësisht me bujqësinë dhe blegtorinë. Sugjeron origjinën e lashtë, që përhumbet në shekujt e antikitetit. Si shprehje e festës të hyjneshave Artemise e Diana, të cilat nderoheshin si mbrojtëse të pyjeve, korijeve, arave. Dhe të të mbjellave, e kafshëve te egra dhe shtëpiake, mbrojtëse e shpendëve. Ndaj romakët shkruanin: “In deae Dianae ara agricolarum columbae erant“. Në altarin e Dianës janë pëllumbat e bujqëve“. Në një shkrim tjetër, kam përmendur zbulimin e një pllake guri. Aty, gdhendur dy zogj, që mund të jenë “pëllumbat e bujqëve – agricolarum columbae”. Dikur zbukuronin tempullin e Dianës në Kandavia-Kunavia. Por mund të jenë dhe dy shapka. Pasi hyjnesha, Diana, shpesh herë identifikohej me këtë shpend të egër.
Madje Quaglia – Shapka, ishte një ndër emrat, sinonim i hyjneshës. Me festën Dita e Verës, celebrohet fertiliteti (pjelloria) e tokës. Fillimi i mbjelljeve, andaj kremtimet e ardhjes së kësaj stine, paraprijnë plugimin e tokës, mbjelljet e pranverës. Në kulturën pagane të vendeve të pellgut mesdhetar, ekuinoksi shënon rikthimin e stinës së bukur të pranverës, ripërtritjen dhe plazmimin e natyrës, çeljen e luleve, rikthimin e dallandysheve, të lejlekëve dhe zogjëve të tjerë shtegtarë, përkon me përgatitjet dhe fillimin e mbjelljeve te pranverës.
Hyjneshat simbol i kësaj feste
Simbologjia e hyjneshave Artemise dhe Diana, lidhet me natyrën dhe botën e kafshëve të egra. Gjithmonë në piktura dhe në shtatoret, që zbukuronin tempujt, të dy hyjneshat prezantohen të shoqëruara me kafshët. Kësisoj, Diana e shoqëruar nga dreri i shenjtë. Ndërsa në piktura mbi kokë, shpesh i vendosin henën e re, pasi Diana ishte hyjnesha e adhuruar si hëna në qiell. Kësisoj e imagjinojmë ne sot. Por në një qirimbajtës në muzeun e Vatikanit, hyjnesha Diana nuk ka formë njerëzore. Prezantohet me disa simbole, si pemë dafine, ku janë varur armët e gjuetisë, harku me shigjetmbajtësen, të kompozuara si shtyllë konike.

Vendosen brirët e drerit dhe flakët e zjarrit, sepse sipas mitologjisë, zjarri konsiderohet origjina e Dianës – Perëndesha e Dritës. Kulti i Dianës është adhuruar dhe nderuar përherë nga populli ynë. Sidomos nga banorët e fshatit, pasi, si Artemise, Diana dhe Zana jetonin në male, në livadhet, në pyjet, nuk ishin hyjnesha të qytetit. Adhurimin e hyjneshës Diana, shqiptarët e shprehin nëpërmjet disa simboleve.
Besytnia dhe simbologjia e objekteve të ndryshme
I ndeshim kudo në familjet fshatare, si psh në gurët e latuar të portave të shtëpive shihen te gdhendur motivi i diellit ose hëna e re (në pozicion horizontal – kulti Selenë). Ndërsa mbi portën e shtëpive vendosin brirë kafshësh (të cjapit, të dashit, ose të kaut). Ndërsa gjuetarët, vendosin brirët e kaprollit. Brirët e kafshëve vendosen edhe në dhomat e shtëpisë. Sidomos mbi oxhak, si praktikohej dikur masivisht nga fshatarësia malësore dhe fusharake.
Vendosja e brirëve të kafshëve në mjediset e shtëpive fshatare, nuk është ekspozim trofeshë gjuetie, as formë zbukurimi, por respektimi i një riti të lashtë pagan. Simbolizon nderim dhe devocion ndaj Artemise – Diana – Zana. Kësisoj, kërkojnë hyjneshat të jetë e pranishme dhe të mbrojnë jetën e pjestarëve të familjes, të shtëpisë dhe të pronave. E konsideroj me rëndësi të theksoj, se festa e Ditës së Verës, është me origjinë dhe me përmbajtje pagane. Nuk ka elemente fetarë. As katolike, as ortodokse, as islame dhe as bektashiane. Madje ka dështuar çdo tentative e klerikëve për t’i bashkangjitur elementë fetarë.
Dita e Verës shqipëtare
Dita e Verës shqiptare, nuk është një argëtim, apo një piknik i thjeshtë në natyrë. Por është festë tepër komplekse. Është festa mbarëshqiptare, që zhvillohet me ritualet e veta. E shtrirë ne pesë faza, që do t’i trajtoj në vazhdim. Ashtu si i kam përjetuar në vendlindjen time, në bjeshkët e bukura të Martaneshit dhe në veçanti gjatë viteve që kam jetuar në Elbasan. Në këtë qytet të bukur, gazmor e me kulturë fatdhënëse. Për shumë shekuj, mbeti zemra dhe tempulli i kësaj feste hiroshe dhe vitale mbarëpopullore.
Impenjimet parapërgatitore janë të shumta dhe me angazhim të gjithë pjestarëve të familjes. Por në vijën e parë, janë “specialistet” e festës, gjyshet dhe nënat. Ato organizojnë dhe drejtojnë të gjitha aktivitet përgatitore, duke respektuar besnikërisht rregullat. Përgatitjet e festës fillojnë 3 ditë para. Pikërisht më 11 Mars. Dhe konsistojnë në grumbullimin e harxheve për gatimin e gjellëve dhe ëmbëlsirave. Lyhet shtëpia me gëlqere. Pastrohen mjediset e brendëshme dhe oborri i shtëpisë. Lahen dhe sistemohen veshjet, sidomos ato që do të vishen ditën e festës.
Në vitet e shkuara, përgatiteshin këmisha lini dhe triko leshi. Më vonë u përdorën stofërat dhe basmat e pambukëta, të bardha dhe me ngjyra. Në disa treva jugore të vendit, si Korçë, Kostur, Kolonjë, Përmet, parapërgatitjet fillojnë në ditët e fundit të shkurtit. Sepse Dita e Verës festohet më 1 mars sipas kalendarit të vjetër. Edhe banorët e besimit musliman Ditën e Verës e festojnë me 1 mars.
Fazat përgatitore të kësaj feste pagane
Por, sipas kalendarit lunar, (kalendari alla-turka), dita e parë e muajit është 14 marsi. Kështu rastësia u ka diktuar ta festojnë me datë 14, ashtu si pjesa më e madhe popullit tonë. Faza përgatitore fillon më 11 mars dhe përkon me festën e hyjneshave Artemise – Diana (për iliro-albanezet Zana-Thana). Një reminishencë e lashtësisë me rituale, që na kujtojnë pikërisht fillimin e pelegrinazheve me vizitat. Dhuratat e shumëta dhe sakrifikimet ne tempull, që beheshin në nderim të këtyre hyjneshave.
Në enciklopedinë italiane “Treccani” shkruhet: “Ilirët, nga të gjitha anët e Ilirisë, udhëtonin me muaj për të nderuar dhe për të shprehur devocionin ndaj Hyjneshës Diana, Perëndesha e Universit dhe e Riprodhimit”. Në periudhën romake, Diana virgjëresha, ishte hyjnesha e maleve dhe Mbretëresha e pyjeve . (Montium nemorumque regina erat Diana), Mbrojtëse e natyrës, e ripërtritjes, e sythimit dhe e lulëzimit, mbrojtëse e kafshëve. Gjuetaria me hark, hyjnesha e pranverës e dritës. Prandaj, për ta nderuar e në përkushtim të saj, në tempullin e Dianës çoheshin lule, shporta me fruta, ushqime, ndizeshin pishtarët dhe bëheshin sakrifikime.
Dhurata ndaj hyjnive
Grumbullimi i harxheve në fazën përgatitore të festës, evokon atë ritual të lashtë të përgatitjes të dhuratave. Ilirët, dikur i çonin në tempullin e Diana Kandavia – Kunavia, apo në tempullin e Diana në Doklea. Nderonin hyjneshën e tyre me lule, me ushqime, me ëmbëlsira e me sakrifikime. Para altarit luteshin për jetë më të mirë, të shëndetëshme e të begatë, nën mbrojtjen e hyjneshës Diana. Këto rite të lashta u ruajtën nga populli ynë, por me një veçori. Barbarët e Teodrikut (shekulli V pas Krishtit), i shkatërruan tempujt e Dianës në Doklea dhe të Dianës në Kandavia – Kunavia. Iliro – albanezët, traditën e nderimit të hyjneshës Diana, e zëvendësuan me ritualet imitatore. Siç për shembull me vendosjen e luleve në portën e shtëpisë, mbledhjen e ushqimeve me një rregull preçiz duke i grumbulluar miellin, mishin e thatë, frutat në shporta, vezët, perimet, përgatitjen e ëmbëlsirave dhe sakrifikimi i një cjapi, ose të dashit, ose të gjelit në ditën para festës. I gjithë ky arsenal “dhuratash” ishin të paprekëshme, deri në ditën e festës të Ditës së Verës.
Para festës të Ditës së Verës mblidhen lulet e thanës (në malësi çelin të parat). Shënojnë ardhjen e pranverës, por simbolizojnë dhe forcën (i fortë si thana). Lulet e thanës, degët me lule të pemëve frutore, tufat e vjollcave (manushaqe). Karakaftet, kërce-percet, veshtulla, narcizat (lule batre) etj. I vendosin në portën e shtëpisë dhe brenda në dhoma, duke i shoqëruar me urimin: “Të lulëzoi e begatë dhe e fortë jeta në shtëpinë tonë”. Këto rituale pagane, zakonisht kryhen nga gjyshet. Ato shqiptojnë me zë të lartë urimet dhe disa formula lutjesh.
Besytnitë që shoqërojnë këtë festë
Që Dita e Verës të sjelli të mira, mirësi, bukuri, begati, shëndet të gjithë pjestarëve të familjes dhe farefisit, këto urime shoqërohen dhe me formula magjie Dhe me bestytninë që hyjnitë e kësaj feste, t’i mbrojnë, t’iu largojnë të keqen, tërsellëkun, varfërinë, sëmundjet dhe t’i mbrojnë nga syri i keq. At Bernardin Palaj, në përshkrimin e festës të Ditës së Verës në Malësinë e Shkodrës, tregon.
“Tri ditë përpara veravet duhet me mshefë shoshat, sitat, furkat e me çartë krojet. Në mënyrë, mos me i pamë këto sende asnjë rob i shtëpisë. Pse për ndryshej nuk lidhet gja. Mbas darke, të gjithë pjesëtarët e shtëpisë bashkohen rreth zjarmit. I zoti i shtëpisë merr një pe të zi leshi. E lidhë për vergue një nyje e thotë këto fjalë: “Lidhe Zot nata e mojt e dita e verave! Unë pak e Zoti shumë! Po lidhim shtringat’ etj. etj. Kështu përsërit këtë veprim për secilin shpirt damtues, sëmundje, krimba e kodra që don me i lidhë”.
Kështu tre ditë para festimit të Ditës së Veres, praktikohet një bestytni e lashtë. Burrat i fshihnin veglat e punës. Nuk përdornin armët e gjuetisë. Gratë i fshehin shoshat, furkat dhe krëhërat e tjerrjes së leshit. Këto, për t’i ruajtur nga syri i keq. Burrat nuk duhej të prekin fshesat, furkat dhe mjete të tjera pune shtëpiake. Ato që i përdorin gratë, pasi sillnin “tersëllëk. Për djemte dhe vajzat e rritura, gjyshet mbledhin degë të holla kulpre, e i shkriftojnë me rrahje të kujdesëshme. Me fibrat e tyre përgatisin unaza dhe dorëza (byzylyke) elegante. Veroret me penjë me ngjyra, unazat dhe “byzylykët” e kulprës, mbaheshin fshehur. Iu viheshin fëmijeve në mëngjesin e 14 Marsit.
Pse quhen “Ballokume”?
Ballokumet e ëmbla me shije të rrallë dhe me aromë të këndshme është që të shijohen Ditën e Verës, më 14 Mars. Emri origjinal i kësaj ëmbëlsire është “kulaçi i verës”. Ndërsa emri ballokume është shumë i vonshëm. Rreth fundit të shekullit të XVIII iu dha nga Sanxhakbeu i Elbasanit. Pasi shijoi ëmbëlsinë dhe butësinë e kulaçit të vogël gatuar me miell misri, gjithë kënaqësi thirri: “është ba si llokume”. Kësisoj, ballokume u bë emri “zyrtar” i kësaj ëmbëlsire tradicionale elbasanase.
Për Lajm-Shqip
Dr. prof. Lutfi ALLA