-“Dikush abuzon me emrin tim për të mbledhur fonde”…
Tashmë, Sidrit Bejleri, nuk njihet vetëm si këngëtar. Ai i ka ngarkuar vetes një tjetër mision. Ky, që të ndihmojë njerëzit në nevojë në Shqipëri e jashtë saj. Por, këngëtari i njohur ka ngritur sot një shqetësim real. Dikush është duke abuzuar me emrin e tij, për të mbledhur fonde të destinuara për të varfërit.
Apeli i Bejlerit jepet ne rrjete sociale. – “ Jam sinjalizuar mbrëmë, se prej disa ditësh një adresë facebook-u me emrin tim, po kërkon shuma të konsiderueshme për “bamirësi”. Nuk është adresa ime. Unë kam vetëm këtë adresë, ku po ju shkruaj! Fondacioni “FIRDEUS” dhe “Shqiptarët për shqiptarët”.
Ato kanë edhe numrat e llogarive, ku mund të derdhni dhurimet tuaja. Mos bini pre e mashtruesve të tillë”!- shkruan Bejleri.
Në fakt, një dukuri e tillë nuk eshtë e re në vendin tonë. Jo pak adresa fallco hapen, në emër të njerëzve publikë, për të thithur mbështetje financiare. Madje, shpesh ndeshemi në rrugë me persona, që mbajnë pankarta dhe foto të personave, në emër të të cilëve kërkohet mbështetje. Jo pak prej tyre kanë dalë abuzues në petkun e misionit si bamirës.
Alfrida Danushi
04.03.2019