Dhunohet barbarisht një i burgosur në Fier, ngjarja mbahet e fshehtë
Komiteti Shqiptar i Helsinkit denoncon një rast dhune në burgjet shqiptare. Ngjarja ka ndodhur në burgun e Fierit. Gardianët kanë ushtruar dhunë ndaj të burgosurit me inicialet T.D. Gjithcka është mbajtur larg vëmendjes së mediave. Denoncimin pranë KSHH e ka bërë e ëma e të burgosurit.
Gjithashtu mund të lexoni:
Kontrolli në qeli
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) bën me dije se u njoftua nga e ëma e të dënuarit T.D., i cili është duke ekzekutuar dënimin në burgun (IEVP) e Fierit, se djali i saj është keqtrajtuar nga punonjësit e sigurisë në këtë institucion.
KShH e vlerësoi njoftimin e mësipërm dhe e verifikoi gjendjen në vend, më dt. 16.11.2017. Në përbërje të grupit të vëzhgimit të KShH-së ishte edhe një mjek ligjor.
Gjatë këtij verifikimi rezultoi se më dt. 14 Nëntor 2017, rreth orës 12:00, i dënuari ndodhej në ajrim së bashku me të burgosurin tjetër, me të cilën bashkëjeton në të njëjtën dhomë, në sektorin e observimit. Në këtë kohë, i dënuari është thirrur nga Grupi i Sigurisë për të ushtruar kontroll në dhomën e tij.
Dhuna
Kontrolli i mësipërm nuk zbuloi asnjë send të ndaluar. Për shkak të kontrollit ka nisur një konflikt që sipas të dënuarit vijoi me keqtrajtimin e tij, ndërsa sipas informacionit të institucionit ku pasqyrohen konkluzionet e kontrollit dhe Raporti i Shërbimit ndaj të dënuarit, rezulton se ai ka ofenduar një ndër specialistët e Grupit të Sigurisë.
I dënuari pretendon se pas konfliktit verbal, u mor nga Grupi i Sigurisë dhe u vendos në një nga dhomat e veçimit. Atje ai është goditur në pjesë të ndryshme të trupit. Shenjat e të goditjeve janë konstatuar edhe nga ekzaminimi i jashtëm i ekspertit të angazhuar të KShH-së (grupi monitorues).
Nga ky ekzaminim u konstatuan 5 dërmishtje nën nivelin e artikulacioneve të gishtërinjve të dorës së djathtë. Një dërmishtje gjatësore në trajtë shiriti në pjesën e brendshme të kyçit të dorës së djathtë. Gjithashtu, u konstatua ekimoza në pjesën e mesme të brendshme të parakrahut të majtë dhe të djathtë.
Në kofshën e djathtë, në nivelin e 1/3 të mesme u konstatua një zonë tjetër ekimotike.
Vlen të përmendet se mjeku i institucionit deklaron se nuk ka patur informacion për këtë ngjarje. Ndërsa në Kartelën Klinike nr. 2053, më dt. 14.11.2017 (dita e ngjarjes) përmendet shkurtimisht se i dënuari është dërguar urgjentisht në Spitalin e qytetit të Fierit. Pretendimi për këtë ishte se ai ka gëlltitur disa copa qelqi të një ampule të thërrmuar të gjetur në tualetin e dhomës.
Nga verifikimi i kartelës nuk rezulton të ketë shënime lidhur me shenjat e verifikuara si më sipër. Kjo nuk është bërë as nga mjeku i institucionit ashtu edhe nga eksperti mjeko-ligjor. Këto të fundit janë dërguar për ekzaminim nga Shërbimi i Kontrollit të Burgjeve (ShKB).
Mos-paqyrimi në kartelë, i vizitës që është kryer nga eksperti mjeko-ligjor i ShKB-së, bie ndesh me detyrimin për dokumentimin e veprimit dhe gjendjes. KShH e konsideron pozitive reagimin e menjëhershëm të ShKB-së dhe kryerjen e veprimeve të para hetimore, në funksion të detyrës ligjore të policisë gjyqësore.
Rast i përsëritur me të burgosur
Pavarësisht këtij fakti, KShH reagon publikisht për këtë verifikim, sepse raste të tilla janë të përsëritura. Kështu psh., më dt. 30.09.2017 është keqtrajtuar i dënuari V.G, në burgun e Peqinit dhe kjo çështje është në hetim penal. KShH u bën thirrje organeve përkatëse dhe veçanërisht drejtuesve të burgjeve që të marrin masa parandaluese, përfshirë edhe rritjen e ndjenjës së sigurisë për të gjithë të paraburgosurit dhe të burgosurit në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.
Personeli i burgjeve ka detyrimin ligjor të denoncojë çdo akt dhune, edhe kur kjo dhunë është ushtruar nga kolegët e tyre. Moskallëzimi i krimit dënohet penalisht sipas Kodit Penal.
Burimi: Lapsi.al