I dërguari i Putin në Tiranë, Ambasadori rus Aleksandër Karpushin, ka sulmuar Spartak Ngjelën, pasi sipas tij ka shpifur për rolin e Moskës në politikën shqiptare.
Në një prononcim për Ilva Taren ai e ka cilësuar avokatin si ”joserioz”.
“Është për të ardhur keq që edhe ekspertët shqiptarë bien pre e kësaj mode të re.
Dhe është akoma më e trishtueshme që pas akuzave që ngrihen ndaj Rusisë nuk qëndron asnjë provë.
Mjafton të rikujtohet deklarata e famshme e analistit të njohur Spartak Ngjela, sipas të cilit gjatë protestës së opozitës vitin e kaluar në Shqipëri ishin futur “mbi 400 oficerë rusë” me qëllim destabilizimin e vendit.
Ku kanë përfunduar këta “oficerë”? Vetëm zoti Ngjela mund ta dijë këtë gjë. Dhe ky është një shembull shumë karakteristik”, tha Karpushin.
I dërguari i Putin në Tiranë sulmon Spartak Ngjelën
Diplomati i Moskës deklaroi ndëraq se nuk ka qenë vendi i tij kundër hyrjes së Shqipërisë në BE.
“Rusia kurrë nuk ka dalë kundër perspektivës evropiane qoftë të Shqipërisë, qoftë të vendeve të tjera të rajonit”, tha Karpushin.
Ai ka sulmuar Perëndimin se po përdor propagandë të pavërtetë ndaj rusëve
“Materialet e mediave perëndimore kushtuar temës së Rusisë ka shumë kohë që nuk mund të shihen si burime të informacionit të vërtetë dhe objektiv.
Shtrembërimi i rolit real të Rusisë në çështje ndërkombëtare është bërë praktikë e përditshme për to.
Prandaj, nuk përbën asnjë surprizë që edhe zgjerimin e Bashkimit Evropian e kanë lidhur me faktorin rus.
Të them të drejtën, është shumë e vështirë të flasësh për të gjitha këto në mënyrë serioze, pasi shprehje të tilla si “agresioni rus”, “ekspansioni rus”, “ndikimi rus” janë bërë përfundimisht pjesë e zhargonit të gazetarëve, dhe jo vetëm në Evropën Perëndimore, por edhe në Shqipëri, dhe tregojnë vetëm dëshirën e mediave për të rritur popullaritetin e tyre me anë të titujve bombastikë”, tha i dërguari i Putin në Tiranë.
Ylli Pata
06.02.2018