Departamenti i Shtetit konstaton problemet më të konsiderueshme, të të drejtave të njeriut në Shqipëri. Ndërsa thotë se: Metastazat e korrupsionit shtrihen në të gjitha degët e Qeverisë Shqiptare!
DASH: Metastazat e korrupsionit shtrihen në të gjitha degët e Qeverisë Shqiptare…
Problemet me të Drejtat e Njeriut, sipas DASH ishin, “kufizimet në lirinë e shprehjes dhe të shtypit. Duke përfshirë autocensurën dhe frikësimin e gazetarëve shkaktuar nga interesat financiare dhe politike. Por dhe korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisë”

Për sa i përket zgjedhjeve, raporti i referohet OSBE-së, kur thotë se: ‘Zgjedhjet respektuan liritë themelore, por u ndikuan negativisht nga akuzat për blerje votash, dhe presion ndaj votuesve.
Në raportin e përvitshëm për të Drejtat e Njeriut thuhet se, mosndëshkueshmëria mbeti një problem serioz. Ja çfarë shkruhet në raport:
“Ndjekja penale dhe veçanërisht gjetja fajtorë e zyrtarëve që kanë kryer shkelje ishte sporadike. Zyrtarët, politikanët, gjykatësit dhe persona me interesa të fuqishme biznesi, ishin shpesh në gjendje të shmangnin ndjekjen penale”. Ndërsa gjatë vitit 2017, “korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes” në Shqipëri. Mes janarit dhe gushtit, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm regjistroi 185 hetime të reja korrupsioni. Gjatë së njëjtës periudhë, 122 persona dolën në gjyq për shkelje të lidhura me korrupsionin, dhe 99 u shpallën fajtorë. Ndërsa prokurorët shënuan përparim të konsiderueshëm në ndjekjen e rasteve të korrupsionit në nivele të ulëta. Përfshirë këtu prokurorë dhe gjykatës të korruptuar. Por djekja penale e krimeve të niveleve më të larta nuk po ndodh… Kjo për shkak të frikës së hetuesve për hakmarrje, si dhe një mungese të përgjithshme burimesh dhe korrupsionit brenda vetë gjyqësorit.
Në raport përmenden probleme të ngjashme, për Gjyqësorin, Policinë Gardën e Forcat e Armatosura.
Më tej raporti vazhdon:
“Presioni politik, frikësimi, korrupsioni i përhapur dhe burimet e kufizuara disa herë nuk e lejuar gjyqësorin të funksiononte në mënyrë të pavarur dhe efektive. Politizimi i emërimeve në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, vunë në rrezik pavarësinë dhe integritetin e këtyre institucioneve. Ndërsa Ministria e Drejtësisë nuk mori masa të duhura disiplinare ndaj gjykatësve. Gjithashtu, autoritetet ushtruan kontroll mbi policinë, Gardën e Republikës, forcat e armatosura dhe shërbimin e zbulimit. Ndërsa zyrtarët herë pas here përdorën burime shtetërore për përfitime personale. Policia jo gjithmonë e zbatoi ligjin në mënyrë të balancuar. Lidhjet personale, ato politike ose kriminale, infrastruktura e dobët, mungesa e paisjeve ose menaxhimi i papërshtatshëm kontribuan në korrupsionin e vazhdueshëm dhe sjellje joprofesionale.
Gjithsesi, raporti kritik i DASH, mbyllet me një tjetër konstatim, ku shkruhet se: Autoritetet vazhduan të bëjnë përpjekje për t’i trajtuar këto probleme, duke riparuar ambjentet e policisë, duke marrë automjete më të reja dhe duke nxjerrë në pah masat antikorrupsion, por pa rezultat.
Për Lajm-Shqip
Leonard Xhelili