Çfarë po ndodh me Lekun? Forcimi më i lartë ndaj Euros se në çdo vend tjetër… Monedhat kombëtare janë forcuar në të gjithë rajonin përgjatë vitit të fundit. Në Shqipëri mbiçmimi i monedhës kombëtare Lekut, kundrejt Euros dhe Dollarit ka qenë më i fortë se në 5 vendet e tjera. Këtu përjashtohet Kosova dhe Mali i Zi. Të dhënat kombëtare nga Banka Botërore tregojnë se, nga qershori 2017 deri në qershorin 2018, leku shqiptar është forcuar pothuajse me 5% në këmbim me monedhën e përbashkët euro dhe rreth 9% në raport me dollarin amerikan. Pas Shqipërisë mësohet se forcimin më të madh e ka pasur Dinari Serb. Dinari Serb, gjatë një viti është forcuar rreth 7% ndaj dollarit dhe 2% ndaj euros. Në Bosnjë dhe Maqedoni, monedhat kombëtare Dinari Maqedonas dhe BAM-i boshnjak u vlerësuan vetëm në këmbim me dollarin, teksa nuk u shënua ndryshim me euron gjatë një viti.
Çfarë po ndodh me Lekun? Forcimi më i lartë ndaj Euros se në çdo vend tjetër…
Euro e mbylli 2017-n në nivelin e 133 lekëve, teksa mesatarja për gjithë vitin arriti në 134.1 lekë. Ky është niveli më i ulët në 9 vjet, që prej 2009-s. Më pas euro u forcua, duke u stabilizuar për 5 vjet radhazi (2011-2015) në nivelin e 140 lekëve. Leku fitonte pikë lehtë ndaj euros gjithnjë në verë dhe në fundvit, si rrjedhojë e efekteve sezonale. Thyerja e ekuilibrit të euros filloi në gjysmën e dytë të vitit 2016. Në muajin tetor, monedha e përbashkët humbi pikë me shpejtësi. Hyrja e lartë e valutës që filloi të vinte nga ekonomia informale, rriti dukshëm ofertën për euro në tregun e brendshëm. Janari 2017 filloi me një nënçmim të lekut, teksa euro u ngjit si rrjedhojë e transferimit të fitimeve nga kompanitë e huaja. Rritja e ofertës për valutë bëri që euro të binte me shpejtësi.
Erjona Keta
12.11.2018