
Në lidhje me këtë të fundit, ministri Bumçi tha se i është dhënë përparësi Burgut të Shkodrës pasi ai ka më shumë turistë dhe se ky projekt është drejt fundit. “Ky objekt ndër vite ka pasur dëmtime. Ka një projekt fillestar me vlerë 25 milionë lekë të reja për Burgun e Spaçit. Ndërkohë që Organizata Europa Nostra kërkon ta përfshijë Burgun e Spaçit në 7 sitet në rrezik të kujtesës evropiane”, tha Bumçi. Përveç dëmtimeve në Kishën e Vlashit dhe Burgun e Spaçit, pika e tretë për të cilën referoi ministri Aldo Bumçi ishte ajo e ndërtimeve pa leje në Krujë. “Nuk ka asnjë ndërtim pa leje në qytetin e Krujës në zonat me mbrojtje të veçantë arkeologjike. Gërmimet arkeologjike nuk kanë zbuluar asgjë aty ku është ndërtuar”, tha Bumçi.
Sipas deputetit Auron Tare në Krujë po ndërtohet në hyrje të Kalasë dhe kjo ndërtesë 4-5 katëshe po prish integritetin e peisazhit duke mos pasur më pamje të kalasë. Tare shprehu shqetësimin edhe për Mozaikun e Tiranës në Muzeun Historik Kombëtar që u dëmtua pak kohë më parë. Në lidhje me këtë të fundit, Bumçi tha se ai është ndërtuar gabim që në fillim dhe se një fond prej 4 milionë lekësh të reja do të restaurojë pjesën e dëmtuar më rëndë të mozaikut. Sipas ministrit Bumçi, qeveria në mandatin e saj të dytë, ka shtuar për trashëgiminë kulturore 290 milionë lekë më shumë, ndërkohë që rreth 1 milionë lekë të reja janë akorduar nga donatorët.
26.02.2013
Burimi: Ikub.al