Borusia e Dortmundit ka vendosur që t’i japë fund miqësisë me Bajernin e Mynihut. Shkak për tensionimin e marrëdhënieve mes ekipeve duket se është bërë mënyra me të cilën Bajerni mori nga Borusia Mario Gëtzen. Për këtë arsye, Borusia ka vendosur të anulojë drekën e zakonshme miqësore mes drejtuesve të dy klubeve, para ndeshjes së të shtunës, kur në Dortmund do të zhvillohet ndeshja mes Borusias dhe Bajernit.
“Kam folur gjithmonë me respekt dhe admirim të madh për Bajernin. Por tani më duhet të them se gjërat janë ftohur pak. Kohët e fundit ka pasur pak acarim mes nesh”, tha presidenti i Borusias, Joakim Uatzke.
“Gjithçka do të shkojë me sportivitet të shtunën por nuk ka më përqafime si më parë. Pse duhet të pretendojë se gjithçka është miqësore? Kemi vendosur se nuk do të organizojmë një drekë me Bajernin, vetëm një shtrëngim duarsh para ndeshjes na mjafton”, vijoi ai.
Kjo gjë pritet që të ndezë edhe më shumë atmosferën në prag të finales së Ligës së Kampioneve, ku do të takohen pikërisht këto dy ekipe
04.05.2013
Burimi: Gazeta Tema