Bjellorusia mori masa të forta diplomatike ndaj Suedisë, pas incidentit të parashutimit të pellushëve me mesazhe kundër regjimit.
Përjashtimi i ndërsjelltë i diplomatëve u shoqërua të mërkurën edhe me lajmin e mbylljes përfundimtare të ambasadës bjelloruse në Stokholm.
Marrëdhëniet midis dy vendeve pësuan një goditje të fortë pasi një firmë suedeze pajtoi një avion të vogël, për të lëshuar mbi territorin e vendit arushë pellushi me mesazhe pro-demokracisë.
Si rrjedhojë e kësaj ngjarje, presidenti Alexander Lukashenko shkarkoi dy gjeneralë, komandantin e flotës ajrore dhe atë të mbrojtjes kufitare.
Sipas mediave bjelloruse, zëvendësuesit e tyre janë këshilluar që të godasin dhe të rrëzojnë pa hezituar, çdo mjet fluturues që do të futet në të ardhmen në mënyrë të paautorizuar nga ajri.
Ndërkohë, televizioni shtetëror informoi se Shërbimet Sekrete Bjelloruse (KGB), arrestuan dy shtetas, me dyshimin se kanë bashkëpunuar në këtë akt të shkeljes së paligjshme të kufirit.
Pasi Bjellorusia lajmëroi masat e reja të marra ditën e mërkurë, ministri i Jashtëm suedez, Carl Bildt, deklaroi në “Twitter” se komentet e Lukashenkos tregojnë se “abuzimi me të drejtat e njeriut në vend ka arritur një rekord të ri”.
08.08.2012
Burimi: Top Channel