Policia e Shtetit merr përsipër të mbrojë biznesin vendas e mbi të gjitha të mund të jetë e pranishme kudo nëse këto biznese sulmohen.
Ditëve të fundit, policia ka shpërndarë në rreth 1800 biznese të Tiranës një letër udhëzuese.
Me anë të së cilës iu kërkohet të pajisin biznesin e tyre me kamera sigurie. Ky fakt ka disa kushte ndërsa afati i fundit në fakt ka qenë fundi i dhjetorit. Por ajo që bie në sy në këtë sipërmarrje të policisë është fakti se do të nisin gjobat edhe për kompanitë e mëdha të shërbimit urban. Burimet theksojnë se do jetë kusht për të gjithë të kenë kamera. Autobusët urbanë janë burim ngjarjesh të rënda kriminale. Po ashtu bëhet me dije se bizneset e mëdha do të shtojnë sasinë, për shkak të mbulimit të të gjithë territorit ku gjendet objekti-biznes.
Bizneset e rrezikuara
Janë 1800 biznese që rrezikojnë të gjobiten në Tiranë për shkak se nuk kanë kamera sigurie në ambientet e tyre. Të dhënat vijnë nga Policia e Tiranës. Bëhet me dije se këtyre bizneseve u kanë shkuar uniformat blu. Ata u kanë dorëzuar një letër ku u kërkohet vendosja e kamerave të sigurisë. Sipas Policisë këto biznese ose nuk kanë fare kamera sigurie, ose duhet t`i shtojnë ato. Pas marrjes së letrës, bizneset kanë 60 ditë afat për të vendosur kamerat. Pas këtij afati uniformat blu kanë të drejtë t`i gjobisin bizneset me 100 mijë lekë. Nëse edhe pas gjobës bizneset refuzojnë të vendosin kamerat e sigurisë, atëherë Policia ka të drejtë të bëjë bllokimin e aktivitetit, sipas ligjit për masat shtesë të sigurisë publike.
Ligji
Ky ligj parashikon që t’u linte afat bizneseve deri në 28 dhjetor për vendosjen e kamerave të sigurisë. Një pjesë e tyre nuk i kanë vendosur. Policia e Tiranës bën me dije se ka kërkuar vendosjen e kamerave të sigurisë, vetëm në ato biznese ku zona është me risk për aktivitet kriminal, si vjedhjet apo vepra të tjera penale. Bizneset që kanë mbi 50 punonjës dhe bizneset që bëjnë xhiro vjetore mbi 10 milionë lekë duhet të vendosin kamerat e sigurisë në të gjitha ambientet.
Ligji parashikon që kamerat e sigurisë të vendosen në kopshte e shkolla, por edhe në mjetet e transportit publik si urbanët brenda qytetit dhe autobusët që lëvizin nga një qytet në tjetrin. Bizneset do të pajisen me një certifikatë që quhet “vërtetim i sigurisë”. Kush nuk merr certifikatën, atëherë gjobitet. “Gjoba vendoset nga Policia nëse subjekti nuk ka marrë masat shtesë të sigurisë, pas kalimit të afatit prej 30 ditëve nga data e njoftimit për marrjen tyre”, – parashikon ligji i ri për sigurinë publike.
Për Lajm-Shqip
Nikoleta Kovaçaj