Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) gjykon se buxheti i shtetit nuk mjafton për të përballuar efektet e krizës dhe se nevojiten më tepër investime të huaja. Këshilla jepet nga shefi i lartë i BERZH-it, Ser Suma Chakrabarti, i cili, së bashku me Kryeministrin e vendit, Sali Berisha, dha një konferencë për shtyp. Sipas tij, Shqipëria e përballoi me sukses valën e krizës, duke regjistruar rritje pozitive ekonomike.
Diskutimi mbi nivelin e borxhit vuri në përballje dy palët, nëse konsiderohet i rrezikshëm dhe kufiri i pranueshëm. “Unë mendoj se niveli i borxhit në çdo vend duhet te përcaktohet nga autoritetet e vendit, nuk duhet përcaktuar nga BERZH. Çështja është se një moment të caktuar vendit i mbaron hapësira fiskale dhe duhet të rrisë borxhin. Unë mendoj se ky vend ka vendosur që tani është koha të thith investime private për të marrë fuqi për të arritur rritje dhe zhvillim. Sektori publik nuk mundet më të bëj gjithçka, dhe kjo është shumë e kuptueshme. Prandaj, duke u kthyer tek pyetja juaj e parë, me përmirësimin e mëtejshëm të klimës së investimeve, ne do të ndihmojmë në sjelljen e investitorëve në vend, siç kemi bërë në të shkuarën”, tha Ser Suma. Pikërisht, përmes investimeve publike të realizuara në vitet 2008-2009, qeveria shqiptare arriti të mbante një ritëm të lartë të rritjes ekonomike, në rreth 5 për qind, por në dy vitet e fundit, investimet pësuan tkurrje për shkak të shkurtimit të buxhetit, një herë me 20 miliardë lekë dhe një herë tjetër me rreth 10 miliardë lekë.
Për Kryeministrin shqiptar, çështja e borxhit nuk konsiderohet shqetësim për aq kohë sa qëndron në nivele të mirëprogramuara. Sipas Kryeministrit, niveli aktual i borxhit nuk i cenon financat, pasi ekziston aftësia paguese për shërbimet ndaj tij. Berisha tha gjithashtu se ekonomia e vendit mund të mbajë borxh më të lartë se 60 për qind, kurse pak ditë më parë, përmendi shifrën 67 për qind të PBB-së, si kufi i lejuar, ose më saktë që nuk duhet tejkaluar. Aktualisht, me ndryshimet që iu bënë ligjit në muajin dhjetor, borxhi vlerësohet në rreth 61.5 për qind, kurse deri në fund të vitit, parashikohet të arrijë në 64 për qind. Kufiri i borxhit publik u vendos me ligj në vitin 2008, sipas të cilit, nuk mund të tejkalohej niveli 60 për qind i PBB-së, madje dy vjet më parë, qeveria i premtoi FMN-së se do ta ulte deri në 54 për qind.
Për BERZH-in ka më shumë rëndësi klima ndaj biznesit privat, reformat në fushën e tatimeve, drejtësia dhe respektimi i pronave, duke qenë se rreth 70 për qind të investimeve në Shqipëri i ka të fokusuara në aktivitete private dhe pjesa tjetër në projekte publike.
Sakaq, shefi i BERZH, u takua dje edhe me kreun e Financave. Mësohet se Bode ishte shprehur shumë i lumtur për mundësinë që i jepej për të takuar Ser Suma Chakrabarti dhe t’i theksonte atij rëndësinë që ka pasur deri më tani bashkëpunimi me BERZH. Financimet e fundit të BERZH-it në Shqipëri janë një paketë prej 252 milionë euro projekte aktuale dhe 500 milionë euro projekte të reja. Këto financime përfshijnë infrastrukturën e vendit, autostradat dhe rrugët rurale, ujësjellësit, shkollat, komunikimin në tërësi, digat, energjinë, KESH-in dhe sipërmarrje të tjera publike. Por, BERZH-i është partneri kryesor i sektorit privat në Shqipëri.
Në programin ekonomik dhe fiskal, të publikuar vetëm pak ditë më parë, Ministria e Financave thotë se borxhi publik në fund të vitit do të shkojë gati 64 për qind ose më saktë 63.8 për qind e Prodhimit Kombëtar. Heqja e kufirit ligjor prej 60 përqindësh, në dhjetor të vitit të kaluar, ka asgjësuar çdo barrierë që ndal rritjen e detyrimeve të qeverisë. Në vetëm pak ditë, kufiri i borxhit u rrit me 1.2 pikë përqindje ndaj Prodhimit Kombëtar dhe në fund të këtij viti, do të jetë 4 për qind më i lartë se niveli 60 për qind, pavarësisht paralajmërimeve të forta të Fondit Monetar dhe Bankës Botërore për të mbajtur nën kontroll financat publike. Qeveria ka korrigjuar në ulje edhe shifrën zyrtare të rritjes ekonomike për vitin 2013, nga 4 për qind që është në buxhetin e miratuar një muaj më parë, në 3.1 për qind.
Qëndrimet
Deputeti i PS-së ngre dyshime mbi transaksionin dhe akuzon Kryeministrin
Braçe: ACR u shit te Samir Mane për 13 milionë euro?!
Kanë kaluar dy javë nga shitja dhe ende METE nuk jep sqarime rreth operacionit në fjalë
Opozita vijon të shprehë shqetësimin e saj për zhvillimet më të fundit që lidhen me minierën e kromit në Bulqizë, pas largimit të kompanisë ACR dhe shitjes së licencës së koncesionit tek biznesmeni Samir Mane, përmes shoqërisë që ai drejton “Balfin”.
Deputeti Erion Braçe, nëpërmjet një postimi në “Facebook”, deklaron se Bulqiza është simboli i kapitalizmit të Sali Berishës, duke e cilësuar atë si zhvatje e pasurisë kombëtare, shfrytëzim i njeriut në nevojë, pasurim i pakicës së favorizuar, varfërim i qytetarëve të pambrojtur, vdekje e punëtorëve të shfrytëzuar, si shkatërrim i një aseti publik me rëndësi të madhe për ekonominë.
Mënyra si është menaxhuar kjo minierë, thotë më tej Braçe, është treguesi i një korrupsioni të shumëfishtë. Kontrata koncesionare në 12 vite nuk është zbatuar. Kjo, kur po konsumohet gjysma e afatit të koncesionit, shpjegon Brace. Në vijim të komentit për këtë çështje, deputeti socialist deklaron se tashmë Bulqizës i ka ardhur radha të përfundojë në duart e një klienti të Berishës, siç e quan ai biznesmenin Samir Mane, të cilit i drejton disa pyetje:
“Sa para e bleve ACR-në, shoqërinë që thotë se zotëron kontratën koncesionare? Si e bleve? Me detyrime apo pa to? Domethënë me detyrimet e saj ndaj Qeverisë dhe me detyrimet e Qeverisë ndaj saj? Cili është çmimi i blerjes? 13 milionë euro? Nëse është ky, atëherë është skandal”, deklaron Braçe, duke theksuar se i gjithë koncesioni nga njëra dorë në tjetrën, ka arkëtuar në 12 vite, qindra miliona euro.
“Ka investuar vetëm 9 milionë. Merr edhe 13 të tjera nga ju. Ju harxhoni 13, por keni garancinë e Qeverisë të rimerrni mbi 5 milionë euro TVSH e parimbursuar”, i drejtohet deputeti i PS-së Kryeministrit Berisha.
Transaksioni i kalimit të aksioneve u njoftua zyrtarisht nga Autoriteti i Konkurrencës më 17 janar, ndërsa më herët ishte përfolur një ndryshim i tillë. Ajo çfarë mbetet mister është heshtja e Ministrisë së Ekonomisë, duke mos dhënë asnjë njoftim mbi operacionin.
08.02.2013
Burimi: Gazeta Shqip