TIRANË – Kryeministri Berisha priti sot në një takim përfaqësues të kompanisë Bechtel, Steve Hawkins, zv/president dhe drejtor i Përgjithshëm dhe David Welch, President i Divisionit për Europën, Afrikën dhe Lindjen e Mesme.
Përfaqësuesit e kompanisë Bechtel, e njohur për shqiptarët si firma që ndërtoi ‘Rrugën e Kombit”, pasi i shprehen Kryeministrit simpatinë e kompanisë së tyre për dy segmentet e projektit madhor të rrugës së kombit Tiranë-Prishtinë, thanë se eksperienca e suksesshme e kësaj kompanie në Shqipëri e ka sjellë përsëri atë këtu, për të bashkëpunuar në një projekt tjetër shumë të rëndësishëm, atë të gazsjellësit TAP. Kompania e konsideron shumë të rëndësishëm, si nga pikëpamja gjeopolitike, ashtu edhe nga pikëpamja teknike këtë projekt madhor, i cili nuk mund të konceptohet pa bashkëpunime të gjera të kompanive ndërkombëtare të fushës.
Ata e informuan Kryeministrin, se janë në bisedime me pjesëmarrësit e konsorciumit të projektit TAP, si me përfaqësuesit e Grupit TAP, ashtu edhe me kompanitë e tjera pjesëmarrëse si: SOCAR, British Petrolium, EGL etj.. Standardet e larta teknologjike dhe eksperienca që kërkohet në këtë projekt, thanë ata, e kanë bërë këtë kompani të jetë shumë e interesuar për t’iu bashkuar Grupit dhe për të përfshirë në vazhdim edhe kompanitë lokale të vendeve përkatëse. Eksperiencat e suksesshme në Shqipëri, në rajon e mbarë botën e kanë bërë Bechtel të fillojë punën për përfshirjen në këtë projekt.
Kryeministri Berisha i falënderoi për bashkëpunimin e suksesshëm në projektin madhor të rrugës së kombit Tiranë-Prishtinë dhe e mirëpriti interesin dhe dëshirën e tyre për t’u bërë pjesë në këtë projekt tjetër madhor, europian e më gjerë. Ndërsa theksoi se historia profesionale e Bechtel dhe historia e suksesit në rajon janë për t’u konsideruar në realizimin e TAP, Kryeministri i siguroi për standardet e bashkëpunimit të qeverisë edhe në këtë projekt, konform ligjeve e rregullave ndërkombëtare dhe ato shqiptare.
06.12.2012
Burimi: Gazeta Shekulli
Berisha takon "Bechtel" për projektin TAP...