Kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot mbledhjen e grupit kuvendor demokrat, ku duke iu referuar 2-vjetorit te 21 janarit u shpreh se një grusht aventurierësh tentoi të rrëzojë pushtetin me dhunë, duke regjistruar aktin më të paprecedentë që nga viti 1924.
“Shpreh ngushëllimet për familjet e viktimave të Edi Ramës, të cilit i kërkoj të ndërpresë çdo lloj presioni ndaj drejtësisë, sikundër garantoj se Qeveria do të bëjë gjithçka që e vërteta të dalë në shesh dhe drejtësia të veprojë”, u shpreh Kryeministri.
Sipas tij, Rama tani po përpiqet të mbledhë votat me kortezhe mortore, ndërsa në 21 janar të 2012 u përpoq që të përmbysë pushtetin duke shkaktuar viktima para Kryeministrisë, me qëllimin për të mbajtur fjalim nga zyra e shefit të Qeverisë.
Ndërkohë, Berisha, duke folur rreth zhvillimeve të fundit në Preshevë, deklaroi se heqja e lapidarit tregon frikë ndaj shqiptarëve dhe se Tirana zyrtare do t’i rishqyrtojë të gjitha marrëdhëniet me Serbinë pas zhvillimeve në Veri të Kosovës.
“Ky akt tregon se ka vetëm një rrugë, bashkimi i shqiptarëve. Shqiptarët më shumë se kurrë të punojnë për bashkimin”, tha Berisha, duke theksuar se Tirana zyrtare do t’i rishqyrtojë të gjitha marrëdhëniet me Serbinë”, theksoi kreu i qeverisë.
21.01.2013
Burimi: Gazeta Shqip