Ish-ambasadori i Shqipërisë në Britani, Mal Berisha, ka publikuar së fundi studimin e tij rreth librit të autorit britanik për Skënderbeun. Sipas tij, libri Naltësimi i Iskanderit i Beniamin Disraelit ka parë drinën e botimit në 1833, rreth 389 vjet pas Besëlidhjes së Lezhës.
Benjamin Disraeli është shkrimtar dhe politikan i shquar britanik që 185 vjet më parë shkroi një vepër letrare kushtuar Skënderbeut.
Vlerësimin e tij për veprën Naltësimi i Iskanderit, i Beniamin Disraelit, studiuesi Mal Berisha e nis me një vlerësim për autorin.
“Benjamin Disraeli, Earli i Beaconsfield-it, (1804 -1881) ka qenë një shkrimtar i njohur anglez. Autor i shumë librave, traktateve e letrave politike. Një politikan konservator britanik, dy herë Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. (Shkurt-dhjetor 1868 dhe 1874-1880). Ai është vetmi pasardhës i një familje hebraike. Ndonëse i konvertuar në të krishterë, i ngjitur deri në atë post të lartë, në tërë historinë e atij vendi”. Shkruan studiuesi Mal Berisha.
Është e vështirë për një studjues, vazhdon Berisha, që të veçojë Benjaminin shkrimtar nga Disraeli politikan dhe burrështetas. Emri i tij nuk mbetet i madh thjesht dhe vetëm për veprën e tij letrare. Krijimtaria e tij ndërthuret, plotësohet, pasurohet, shquhet edhe me veprën e tij si eseist, politikan, polemist, drejtues shteti.
Përveç veprës Naltësimi i Iskanderit, ai ka shkruar e botuar edhe më shumë se njëzet libra të tjera. Talenti i tij shprehet nga vetë Disraeli: “…kur dua të lexoj një roman më mirë e shkruaj vetë një tjetër”.
Disraeli ka kontaktuar emrin e Skënderbeut gjatë udhëtimit të tij në Mesdhe, në qershor 1830 deri në tetorin e vitit 1831. Ai ka shkruar për mbresat e pashlyera nga Spanja, Malta, Shqipëria, Greqia dhe Lindja e Mesme.
Ky tur la kujtime të pashlyera në tërë jetën e tij të mëvonëshme. Nga Korfuzi ai udhëtoi në Artë dhe në Janinë. “Nga Janina ai i shkroi letra familjes të cilat janë studiuar dhe botuar nga studiuesi Dr. Robert Elsie”, nënvizon Berisha.
Vepra Naltësimi i Iskanderit paraqet rëndësi për studiuesin pasi e ka shkruar një njeri shumë i madh si Benjamin Disraeli.
Trashëgimia dhe krijimtaria e tij si shkrimtar e politikan është me peshë në botë dhe në Britaninë e Madhe.
Paraqet rëndësi edhe për faktin se është shkruar në kontekstin historik kur shqiptarët sapo fillonin ri-zgjimin e tyre kombëtar.
“Në këtë novelë lëvizin si personazhe historike figurat e tre njerëzve më të shquar të kohës së vet. Gjergj Kastriot Skënderbeu i Shqipërisë, Janosh Huniadi i Hungarisë dhe Princi Mahomet i II – të”. Nënvizon studiuesi Mal Berisha në analizën e tij për këtë vepër. Në sfond historik përmendet Sulltan Murati II, pengmarrësi i djemve të Gjon Kastriotit. I cili ishte edhe adaptuesi i më të voglit të tyre, Gjergjit apo Skënderbeut.
Ngjarjet zhvillohen në Ballkan dhe në libër përmenden emra të vërtetë gjeografikë. Përveç emrit të Shqipërisë, përmenden Epiri, Kruja, Petrela, Kalishta, etj.
Kopertina orgjinale e botimit ka si paraqitje Skënderbeun vendosur pranë Tempullit të Minervës në Athinë.

Autori ndalet në disa fakte historike si marrja peng e katër bijve të Princit Gjon Kastrioti, që në vepër përmendet si Princi i Epirit. Përmendet helmimi i tre prej tyre nga Sulltan Murati II dhe adaptimi dhe vënia e emrit “Skënderbeg” për të voglin.
Disraeli ndalet në dërgimin e Skënderbeut në ndihmë turqve në luftë kundër Vladislavit të Polonisë dhe Vojvodës Huniadi të Transilvanisë. Ndërkohë që pasqyron takimin e tij me Huniadin dhe marrëveshja që ata bëjnë për të mbrojtur krishtërimin.
Autori përshkuan kthimin e Skënderbeut në Krujë, çlirimine qytetit, triumfin mbi turqit. Ndalet në mposhtjen e forcave të Sulltan Muratit II të dhe të birit të Sulltan Mahmodit-Fatih.
Përshkrimet e detajuara e bëjnë veprën e Benjamin Disraelit shumë të dashur për lexuesin shqiptar. Beniamin Disraeli tenton ta kthejë një histori sa reale aq edhe legjendare në një romancë me elemente artistikë.
Autori dhe vepra Disraelit duhet vlerësuar edhe për faktin se që në 1833 ai njihte historinë e heroit tonë kombëtar.
Vepra ka një rëndësi të posaçme pasi shënon një trajtim letrar të temës së Skënderbeut në prozën angleze.
Nxjerrja në dritë në gjuhën shqipe e kësaj vepre letrare në 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut ka një vlerë të veçantë. Ajo tregon sesa shumë e kanë admiruar të huajt atë, përfshirë figura të tilla si kjo e Benjamin Disraelit.
Kështu përfundon prononcimi i tij për studimin e kësaj vepre të pazakontë letrare kushtuar Heroit tonë Kombëtar.
Për Lajm-Shqip:
03.03.2018