Devid Bekham duket se ka ardhur në Paris jo për futboll, por për të shijuar luksin që i ofron Parisi dhe sheikët e PSG-së. Teksa ylli i ekipit francez po bëhet gati të debutojë kundër Soshosë, mediat kanë zbuluar luksin që i kanë ofruar sheikët e klubit. E ndërsa bomberi Zlatan Ibrahimoviç vendosi të banojë afër rezidencës së ish-kryeministrit Sarkozi, mesfushorit anglez Devid Bekham i është servirur një superluks mu në zemër të Parisit afër “Elysee Palace”. Në hotelin me pesë yje “Le Bristol”, Bekham ka në dispozicion një suitë imperiale me mobile antike të shekullit 18, që ka një sipërfaqe prej 312 metrash katrorë. Kostoja ditore arrin 17300 euro. Veç kësaj, Bekhami ka në dispozicion edhe një menu me lloje pa fund specialitetesh, ku vetëm një pjatë me makarona kushton 100 euro. Ish-kapiteni i Anglisë ndihet i sigurt, pasi përveç truprojës, ka edhe një kuzhinier, asistent personal dhe shofer. Ndërkohë paga e Bekhamit është 700 mijë paund në muaj, por ajo shkon për bamirësi.
16.02,2013
Burimi: Panorama Sport