Buxheti i bashkisë së Gjirokastrës për vitin 2018 është miratuar në mbledhjen e sotme të këshillit bashkiak.
Buxheti u miratua me 100% të votave të anëtarëve të këtij këshilli. Sipas relacionit shoqërues të projekt-buxhetit të paraqitur, bëhet e ditur se vlera e përgjithshme e shpenzimeve për bashkinë Gjirokastër është 744 miliom e 607 mijë lekë.
Këto shpenzime do të përballohen si më poshtë:
nga 185 milionë e 429 mijë lekë ose 25 % nga të ardhurat e vetë bashkisë;
368 milion e 763 mijë lekë ose 49,5 % nga burimet e qeverisë qëndrore
dhe 190 milion e 415 mijë lëkë nga të ardhurat e trashëguara nga viti 2017.
Kryetarja e bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Rami, tha në prezantimin e projektit para anëtarëve të këshillit bashkiak:
“Po ju paraqesim një projekt-buxhet realist gjithëpërfshirës, transparent dhe unik. Ai përmban shpenzime dhe të ardhura të balancuara. Ky projekt arrin të krijojë një ndërveprim mes objektivave të bashkisë, grupeve të interesit, rritjes së cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve dhe përforcimin me efektivitet të lartë të fondeve”.
Buxheti i vitit 2018 i Gjirokastrës parashikon rritje të investimeve në infrastrukturën rrugore, ndriçim, parkim, përmirësim të mjedisit, ujitjes dhe pyjeve. Ndërkohë që do të ketë projekte investimesh në arsim, kulturë dhe sporte. Në mbyllje të mbledhjes së këshillit bashkiak të Gjirokastrës, kryebashkiakja Rami falenderoi anëtarët e këshillit për miratimin me konsensus të projekt-buxhetit të vitit 2018.
Për Lajm-shqip
Engjëll Serjani