Bashkia e Elbasanit “dorëzohet” përballë shembjes së rrugës, që të çon në Labinot-Mal. Është një degëzim, që nis nga Labinoti-Fushë.
Kjo rrugë përshkon Labinotin-Mal drejt zonës së Bizës së Martaneshit. Rrugë mbi 60 vjeçare, që dikur ka shërbyer për transport pyjor nga Biza në Elbasan.
Rrezikohet shembje e rrugës Labinot-Mal, bashkia e Elbasanit pa investime.
Ndarja e re administrative, këtë rrugë e futi në “inventar” të Bashkisë së Elbasanit. Dy vjet më parë, ajo ka pësuar disa shembje të mëdha.
Për rrjedhojë, është bërë tepër e vështirë për të kaluar. Shtabi i Emergjencave Civile në Elbasan kanë bllokuar lëvizjen për shkak të rrezikshmërisë.

Që nga ajo kohë këtu nuk është bërë asnjë riparim, pasi, sipas specialistëve të Bashkisë, ajo kaloi në inventar të saj në vitin 2016 në një gjendje pothuajse të shkatërruar.
Ndërkohë, drejtori i shërbimeve në Bashki, Irland Sina, ka deklaruar:
Aksi rrugor Labinot Fushë –Bizë, ka qenë një aks nacional dhe në inventarin e ARSh-së. Me vendim të qeverisë 661 dt 21.06.2016, ky aks i ka kaluar Bashkisë së Elbasanit. Kalimi nuk është shoqëruar me fonde përkatëse për mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e pjesëve të shkatërruara. Bashkia e Elbasanit nuk ka mundësi financiare për ndërhyrjet emergjente në këtë aks. Ndaj i drejtohem Autoritetit Rrugor Shqiptar, që ta kthejë në normalitet. Ky është aks nacional , që lidh Elbasanin me Martaneshin dhe Tiranën. Është shumë e domosdoshme që të kryhet ndërhyrja. Rrezikshmëria për mjete dhe udhëtarë në furgona është e madhe.
Ndërkohë, mësohet se Agjencia e Shërbimeve Publike e Bashkisë së Elbasanit i ka nisur një kërkesë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
Ajo kërkon që bashkia të investojë, për ta rikthyer këtë aks në gjendje normale.
Pasi të riparohen shembjet, që kanë ndodhur para kalimit si “pronë” e Bashkisë, pastaj të kalojë në inventar të Bashkisë.
Sidoqoftë, gjatë gjithë ditës, mjetet e transportit të mallrave dhe atij publik kalojnë këtu të rrezikuara në çdo çast nga shembjet e rrugës.
Për Lajm-Shqip
Alfrida Danushi