Banka e Linda Ramës ble Bankën Kombëtare të Greqisë, NBG
Banka e Linda Ramës
Banka Amerikane e Investimeve, në bordin drejtues të së cilës është bashkëshortja e kryeministrit, Edi Rama ka blerë Bankën Kombëtare të Greqisë, NBG.
Mësohet se, transaksioni është mbyllur tashmë. Ndërkohë që, brenda pak ditësh pritet të bëhet edhe njoftimi zyrtar, së bashku me detajet e blerjes.
Blerja e NBG-së rrit edhe më shumë peshën e ABI bank në sistemin financiar shqiptar duke e bërë tashmë atë një nga bankat më të mëdha në treg.
Zgjerimi i vrullshëm i ABI bank në tregun vendas nuk ka kaluar pa u vënë re, jo vetëm brenda vendit, por edhe nga institucionet ndërkombëtare që mbikqyrin ekonominë shqiptare.
Në deklaratën e fundit për Shqipërinë, misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar është shprehur i shqetësuar për zhvillimet e fundit në sistemin financiar, duke i bërë thirrje Bankës së Shqipërisë të mos licencojë banka me konflikt interesi.
“Për të ulur rreziqet, Banka e Shqipërisë duhet të sigurohet se bankat e reja që kërkojnë licencë përmbushin kriteret ligjore, zotërojnë eksperiencën e nevojshme bankare dhe përjashtojnë konfliktin e interesit”, deklaroi FMN
Burime pranë FMN thonë se deklarata i referohet pikërisht ABI Bank, e cila përbën një një precedent në tregun shqiptar.
Ajo është banka e vetme në vend që vjen nga parajsat fiskale.
Por veç kësaj, në bordin drejtues të bankës, ulet Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama.
Çka përforcon edhe më shumë dyshimet se kujt i referohet Fondi Monetar kur flet për banka me konflikt interesi.
ABI bank
Banka Amerikane e Investimeve zotërohet 100 për qind nga një fond financiar i quajtur Tranzit sh.p.k.
Por ky i fundit, zotërohet nga 3 aksionerë. Një shtetas shqiptar me emrin Andi Ballta dhe dy fonde të tjera, NCH Balkan Fund dhe New Century Holding.
Të dy këto fonde, të cilat zotërojnë 70 për qind të Bankës Amerikane të Investimeve janë të regjistruar në parajsën fiskale të ishujve Cayman.
17.11.2017
Burimi: Syri.net