Ca vija mbi telajo, ide që marrin jetë, ngjyra që mpleksen për t’u transformuar në një art të mirëfilltë që mahnit. Dora e artistit ndalet. Largohet. I hedh një sy të thellë asaj që ka përpara dhe ritmi nis nga e para. Në një tjetër kanavacë. Tabloja ndryshon dhe formësohet një tjetër ide, një tjetër realitet. Forma i jep jetë, në mënyra kaq të ndryshme, përmbajtjes së vjetër sa bota. Sepse arti është formë.
Të ngjashme mund të lexoni:
Afrimi i festave të nëntorit vjen me imazhet e atij nëntori historik nga ku zë fill historia e shtetit shqiptar dhe padyshim, puthja e flamurit nga Isa Boletini është një nga imazhet më të fuqishme që e sjell piktura e Nikolet Vasisë.
Stërnipi i të madhit Kol Idromeno dhe Motrës Tone, bir i Xhyzepina Çobos, një prej simboleve të bukurisë femërore shqiptare të përjetësuar në piktura të artistëve të shquar shqiptarë, Nikolet Vasia prej disa vitesh i mungon artit figurativ shqiptar dhe qytetit të Durrësit.

Atij i vlonte në gen talenti i Idromenos së madh, shija e hollë e trashëguar nga prindërit dhe përkujdesja për të qenë vetvetja, përtej kësaj trashëgimie që padyshim la gjurmë në mbrujtjen e tij artistike. Eleganca, fisnikëria e ngjizur që herët qenë pjesë e artit të tij Nikolet Vasia, një nga emrat e mëdhenj të pikturës shqiptare, është autor i qindra punimeve në pikturë, skulpturë, mozaikë, grafikë dhe vizatime. Bashkautor i mozaikut masiv që shfaqet në krye të Mauzoleut të Dëshmorëve në Durrës, bashkautor i mozaikut në muzeun kombëtar “Gjergj Kastrioti” në Krujë, i pikturave murale dhe vitrazheve e shumë pikturave që sot janë pjesë e koleksioneve private në Shqipëri, Amerikë, Itali, Francë, Spanjë, Gjermani, Finlandë dhe shumë vende të tjera. Dora dhe shpirti i krijuesit i kanë dhënë jetë dhe simbolit të qytetit, emblemës së tij. Stema e Durrësit është vepër e tij, ndonëse këtë fakt pak durrsakë e dinë. Gjatë të gjithë jetës së tij, deri kur u shua në verën e vitit 2011, Nikoleti punoi në heshtje, larg bujës.

Fëmijëri e ngjizur në art
Rritja në ambjente familjare artistësh, pikturat e Kol Idromenos që mbushnin muret e shtëpisë së nënës së tij Gjyzepina Çobo në Shkodër, mbesë e Antoneta Skanjetit, gruas që pozoi aq bukur për realizimin e të famshmit portret të Xhakondës shqiptare, “Motra Tone”. Piktori ishte i vëllai, i madhi Idromeno. Martesa e dytë e nënës, Xhyzepinës me piktorin Vladimir Jani dhe marrëdhënia pozitive e prindërve pas divorcit, ndikuan në mbrujtjen e piktorit, duke formësuar dalëngadalë artistin e ardhshëm. Do të kishte një stil të veçantë edhe gjatë kohës kur propagandohej fuqishëm dhe pa mundësi të tjera, tematika e realizmit socialist, duke thyer skemat e saj. S’mund të bënte ndryshe. Arti i ishte imponuar që herët. Geni i artistit kishte lindur gjithashtu me të. S’kishte asnjë alternativë tjetër, prandaj vazhdon studimet e mesme në Liceun Artistik të Tiranës e më pas Akademinë e Arteve, ku diplomohet në vitin 1970.
Teksa fliste për veten, Vasia thoshte:
“Geni i Idromenos, dajës së gjyshes time, rrjedh në dejet e mia. Në moshën 5-vjeçare të vendosem në Shkodër te mamaja, megjithëse kisha lindur në Durrës. Jetova në shtëpinë e Idromenos, pasi ai duke mos pasur fëmijë kishte mbajtur pranë nipërit e vet. Në muret e sallonit të bukur të ngrënies ishin të gjitha ato punë që sot janë në Galerinë e Arteve, përveç Motrës Tone. Idromeno kishte vdekur, po prania e tij në shtëpi ishte e dukshme. Ky ishte kontakti im i parë me pikturën.”
I ati i Nikoletit kishte pasur interesa të ndryshme nga ato të pikturës. Ai do të diktonte te i biri rregullsinë, saktësinë nëpërmjet kërkesës për të riprodhuar elemente dhe figura të thjeshta. Prezenca e pikturës në çdo ambjent që frekuentonte kultivoi ngadalë, por bindshëm magjinë e artit figurativ brenda tij. Puna e parë e Nikoletit ishte një peisazh i realizuar në moshën 10-vjeçare që u botua në gazetën “Rinia”. Më pas, në lice fitoi çmimin e parë të një konkursi rinor në pikturë. Kaceli, Buza, Shijaku dhe pedagogë të tjerë i dhanë të tjera penelata, gdhendje më të thella, atij talenti të lindur e të kultivuar që herët. Në vitet e para pas diplomimit, një mbështetje të madhe i dha Vangjel Toçi, arkeologu i shquar shqiptar. Gjatë jetës artistike lëvroi kompozimet komplekse, mozaikët, vitrazhin, heraldikën, realizimin e pullave të ndryshme postare, pikturën murale, peisazhin, portretin, si dhe skulpturën.

Fundi i trishtë i dy veprave historike
Rreth 11 veprave të tij nuk u dihet fati, po dy prej tyre i kishte vërtet peng. Nëse klikon në motorrin e kërkimit Google për të gjetur informacion dhe imazhe të Shqipërisë, padyshim vepra “Rreth flamurit të përbashkuar” është prezantimi i parë figurativ i vendit tonë. Puthja e flamurit nga Isa Boletini është një nga pikturat e tij historike, fatin e së cilës as ai nuk e mësoi dot. Në vitin 1978, pikturën ia bleu Galeria e Artit në Durrës. Kujton se u pagua 17 mijë lekë atëherë për veprën e tij, që frymëzoi dhe skenën e puthjes së flamurit në filmin që u realizua dy vjet më vonë nga Kinostudio shqiptare. Kthimi i Galerisë së Arteve të Durrësit në duart e ish-pronarit çoi në mbylljen e veprave të saj në një ambjent të Mauzoleumit të Dëshmorëve. Aty humbasin gjurmët e veprës së Nikoletit. U vodh, ndërsa në Institutin e dokumentimit të veprave të artit në Tiranë, kjo vepër mungon. Fati i trishtë i veprës së tij e mundoi, ndërsa e ruante atë në formën e kartolinës dhe fotografisë. E mundonte dhe fakti që një e përditshme shqiptare, çdo 28 nëntor e boton atë pa vendosur emrin e autorit të saj.
Një tjetër vepër e tij që pati përfunduar jashtë kufijve të atdheut, e shitur dhe e rishitur, e mundonte. Ishin dy nxënëse të tij që zbuluan fatin e veprës. Nxënëset e gjetën veprën e profesorit të tyre në Maqedoni, ndonëse u ndeshën me kërkesën e zotëruesit për të mos folur mbi praninë e saj, pasi e kishte blerë shtrenjtë në Gjermani. Nikoleti kërkoi ndërhyrjen e Interpolit për gjetjen e kësaj vepre, po nuk mori asnjë reagim.
Vitet e fundit jeta e tij kaloi mes studios, arsimit, miqësisë e dashurisë së vjetër që e lidhi ngushtësisht me piktoren Shpresa Beqiri, si dhe dashurisë së pashtershme për fëmijët e tij.
Wikipedia
Nikolet Vasia lindi në Durrës, më 5 gusht 1947. Kreu Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në vitin 1966. Që nga ky vit deri në vitin 1970 ndoqi studimet e larta në Akademinë e Arteve në Tiranë, ku u diplomua për pikturë. Nga viti 1970-84 punoi si piktor dhe skicograf pranë Muzeut Arkeologjik Durrës, në riprodhimin e vazove antike me pikturim dhe relievarkeologjike. Realizon dokumentacionin figurativ të objekteve muzeale dhe gërmimeve. Që në kohën e studimeve të mesme e deri tani ka qenë pjesëmarrës në të gjithë aktivitetin artistik të qytetit, si ekspozita, komisione etj. Punoi me shumë gjini të artit figurativ, si pikturë, skulpturë, grafikë, mozaik, pikturë murale, skenografi, deri në ilustrimin e realizmin e pullave filatelike. Kryesisht ka trajtuar temën historike, ku shquhen veprat: “Rreth flamurit të bashkuar”, “Posta shqiptare 1912”, “Kuvendi i burrave”, “Tek arbëreshët”, “Familja fshatare”, etj., të gjitha këto piktura në vaj. Kompozime dimensionale në mozaik dhe vitrazh në Muzeun e Skënderbeut në Krujë me temë “Kushtrimi” dhe “Tradita”. Pikturat murale në ambiente të ndryshme të qytetit si “Pena shqiptare”, “Lojërat e fëmijëve” dhe “Pranvera”. Shquhet gjithashtu dhe në realizmin e portreteve, si ato historike (“Shote Galica”), që ruhen me shumicë si në galerinë e qytetit të Durrësit dhe tek koleksionistët privatë. Ka marrë pjesë në shumë ekspozita kombëtare, ku ka fituar dhe çmime. Në vitin 1986 nis punën si mësues i pikturës, tekstilit në shkollën artistike “Jan Kukuzeli” Durrës. Veprat e piktorit ndodhen nëpër koleksionet private në shumë qytete të Shqipërisë si dhe në Itali, Greqi, Gjermani, Francë, Belgjikë, Spanjë dhe SHBA. Vdiq në korrik 2011, pas një sëmundjeje të rëndë.
|
Për Lajm-Shqip
V.Q