TIRANE-Syrjeva Berberi është mikesha më e afërt gazetare e Anaidit , e cila në miqësinë që ka krijuar për katër vite me të si studentë të Gazetarisë, di mirë çfarë mendon dhe si vepron ai brenda në shtëpinë e vëzhguar. Ajo zbulon pikat e forta dhe dobësitë e tij në lidhje me femrat, marrëdhënia që ka me Anaidin jashtë shtëpisë dhe si e sheh lidhjen e tij me Joanën.
Prej sa vitesh e njeh Anaidin dhe çfarë sekretesh di nga jeta e tij?
Me Anaidin njihem prej gati katër vitesh. Jemi njohur në Fakultetin e Gazetarisë dhe prej atëherë jemi miq shumë të afërt. Nga ai di aq sa i takon një mikeshe shumë të mirë të dijë. Ne ndajmë shumë gjëra me njëri-tjetrin, sekrete, mendime, madje edhe probleme. Pra, sekretet ia themi njëri-tjetrit, vetë nuk mund t’i bëj publike sekretet e tij.
Je mikesha më e afërt e Anaidit jashtë shtëpisë, si po të duket ai? Është në formën e tij më të mirë?
Anaidi ka shfaqur disa anë të karakterit të tij, anë të cilat unë i kam njohur jashtë.
Ti e njeh mirë dhe kështu mund ta kuptosh nëse ai po luan lojën, apo po shfaqet siç është në realitet. Në ç’raste ai bën sikur…?
Pikërisht këtë dua të them, që një pjesë e asaj që ai po jep në shtëpi nuk është lojë, por është demonstrim i vlerave të tij, ndërsa në lojë e shoh të angazhuar në maksimum. Kjo duket në debatet e herpashershme që ai ka krijuar me banorët, duke e përdorur këtë si mjet për të nxjerrë në pah karakteret e lojtarëve të tjerë.
Në rrjete të ndryshme sociale thuhet se ai e ekzagjeron duke u kapur pa arsye me banorët. E sheh dhe ti kështu?
Po, kam parë që në rrjete të ndryshme është cilësuar si njeri që kapet pa arsye me banorët, por do të thosha që ky është “Big Brother” dhe duhet të zotërosh një sërë teknikash që të njohësh të tjerët e t’i sulmosh aty ku mendon se janë pikat e dobëta të kundërshtarëve. Në fund të fundit, kjo është një garë me një sërë kushtesh që firmosen në një kontratë. Nuk besoj se Anaidi ka dalë jashtë këtyre kushteve, prandaj them se është në rregull.
Po flitet shumë për lidhjen e tij me Joanën, sa të sinqertë e sheh në marrëdhënie me të?
Anaidi gjithmonë ka qenë ai që m’i ka shpjeguar “të brendshmet” e marrëdhënieve të tij, prandaj po pres atë të më thotë të vërtetat e kësaj marrëdhënieje dhe çfarë pjese zë Joana tek ai.
Mendon se është lidhje që do të funksionojë jashtë shtëpisë?
Anaidi kërkon gjithmonë të ketë një femër pranë, jo për të krijuar një raport intim, por për të marrë një mendim femre. Nga ana tjetër, Anaidi është shprehur se në “BB” ka hyrë i vetëm dhe i vetëm do dalë. Kjo domethënë që ai nuk do t’i ngatërrojë në lojën e tij ndjenjat.
Pra, ti nuk beson se ai ndien për Joanën?
Unë them jo. Me aq sa e njoh Anaidin, them se ai di t’i menaxhojë ndjenjat e tij, dhe them se dhe ai vetë atë që ndien do ta kuptojë jashtë.
Po historinë e saj me Janin, thua se do e ketë problem, mund ta përtypë gjithçka për ta konsideruar Joanën të dashurën e tij jashtë shtëpisë?
Nuk besoj se do të arrijë çështja deri në atë pikë sa të flitet për përtypje.
Domethënë që s’do jenë kurrë çift jashtë shtëpisë?
Femra ideale për të nuk është në “Big Brother”. Mendoj dhe besoj se nuk do të jenë çift.
Ndërkohë, Anaidi i tha Rikes se asnjëherë në jetën e tij nuk ka dashuruar një femër, si çun lagjeje që është. Si e trajton ai femrën që mund të ketë në krah dhe vërtet krijon vetëm lidhje fizike me to?
Nuk është e vërtetë që ai krijon vetëm lidhje fizike. Absolutisht, Anaidi përfshin edhe ndjenjat në një lidhje. Ai e trajton femrën si qenie delikate dhe është shumë xhentil. Në çdo lidhje ka dhënë maksimumin e tij për ta bërë partneren të ndihet mirë dhe e theksoj që nuk është mashkull që rend vetëm pas kënaqësive fizike.
Po ku mund të qëndrojë problemi që ai nuk mundet dot të krijojë marrëdhënie të vërteta shpirtërore, siç thotë? Cila është femra ideale me të cilën ai mund të bjerë kokë e këmbë në dashuri?
Femra ideale e Anaidit nuk është vetëm fiziku i bukur. Ndoshta ai ende nuk e ka gjetur idealen për ta dashuruar.
Ndërkohë në rrjetet sociale janë bërë komente edhe për ju për ty, ku është aluduar për një lidhje jashtë. Si është e vërteta e marrëdhënies suaj?
Po, dhe mendoj që është thjesht një aludim, duke na bërë të dashur në rrjetet sociale, gjë që s’është aspak e vërtetë. Mua Anaidi më thotë “dashuri” në bisedat tona, pra kjo është shprehja me të cilën i drejtohemi njëri-tjetrit. Dhe mund të sqaroj që për mua Anaidi është si vëllai im i dytë, jemi si dhomë rrëfimi për njëri-tjetrin.
Kuptoheni kaq mirë siç thua, përse nuk keni pasur diçka më shumë?
Sepse ne jemi shumë shokë për të qenë të dashur. Na lidh një miqësi shumë e bukur, që kurrë nuk ka kaluar asnjë cak. Në qoftë se unë do të kisha qenë djalë, patjetër që do kisha qenë si Anaidi.
Dhe, si përfundim, e sheh si fitues të “Big Brother 6”, me cilët banorë ai do luftojë për çmimin?
Dua dhe uroj të fitojë Anaidi. Pretendentët kryesorë mendoj se janë Anaidi, Iliri dhe Elona. Rivalë mendoj se janë të gjithë deri ditën e fundit. Anaidi po garon dhe në një garë të gjithë janë rivalë.
04.05.2013
Burimi: Balkanweb