Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e komenton vendimin e gjykatës për të lënë në arrest shtëpie Saimir Tahirin, si hap se kjo çështje do të vendoset në mënyrë të drejtë dhe transparente nga gjykata.
Ambasada amerikane komenton vendimin për Tahirin: Kjo çështje….
Në reagim, ambasada nuk ka kursyer ta cilësojë rastin “Tahiri” si çështje të rëndësishme të korrupsionit.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara mirëpret përparimin e bërë nga Shqipëria në luftën e saj kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Vendimi i gjykatës për të vendosur Saimir Tahirin në arrest shtëpie është një shenjë se kjo çështje e rëndësishme korrupsioni do të vendoset në mënyrë të drejtë dhe transparente në gjykata”, thuhet në reagim.
Po ashtu, ambasada sjell në vëmendje edhe arrestime të tjera që lidhen me rastet e trafikut të drogës.
“Arrestimi i Met Kananit në Turqi dhe 14 anëtarëve të bandës së tij kriminale në Shqipëri është shenjë e seriozitetit të policisë dhe prokurorëve. Kjo për të vënë në shënjestër krimin e organizuar. Së fundi, arrestimi i trafikantit të dyshuar të kokainës Arbër Çekaj në Gjermani dhe kërkesa për ekstradimin e tij në Shqipëri, është shenjë se pandëshkueshmëria ka marrë fund për bosët e krimit në këtë vend. Përgëzojmë punën e vështirë dhe me kurajë të Policisë së Shtetit. Gjithashtu të Prokurorëve të Krimeve të Rënda dhe Gjyqtarëve të Krimeve të Rënda”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.
Ambasadori Lu shpesh ka bërë apel për avancim të hetimeve për ish-ministrin Tahiri.