12 vjeç – Studimet e ndryshme tregojnë se konsumi i alkoolit në këtë moshë është më i lartë në zonat urbane sesa rurale dhe te djemtë më tepër, sesa te vajzat.
Frekuenca – 1/3 e nxënësve të shkollave të mesme, sidomos në grupmoshën 17-18-19 vjeç rezultojnë se kanë konsumuar të paktën një pije alkoolike ditët e fundit
30% – E shqiptarëve janë konsumatorë të moderuar të pijeve alkoolike. Ndërkohë që 5 për qind e popullsisë së vendit janë totalisht të varur ndaj produkteve të alkoolit
Komisioni i Shëndetësisë diskuton ndryshimet në ligj. Rritet numri i nxënësve që pinë
Ligji për konsumin e alkoolit pritet të pësojë ndryshime, duke vendosur kufizime në oraret e servirjes së pijeve alkoolike në lokale.
Specialistët e shëndetit publik kanë dhënë dje shifra të reja dhe statistika lidhur me konsumin e pijeve alkoolike në vend. Sipas ekspertëve të shëndetësisë dhe anketimeve e studimeve të bëra nga ISHP, por edhe organizata jofitimprurëse, është ulur mosha e fëmijëve të cilët provojnë alkool për herë të parë. Sipas të dhënave, fëmijët e provojnë të pinë alkool për herë të parë në moshën 8 vjeç. Adoleshentët, moshat nga 16-18 vjeç pranojnë se konsumojnë alkool dhe madje kanë pirë edhe ditët e fundit, para se t’u përgjigjeshin pyetjeve të anketimit. Të dhënat e OBSH për Shqipërinë tregojnë se 30 për qind e popullsisë është konsumatore e moderuar e alkoolit. Ndërsa 5 për qind është totalisht e varur prej pijes. Ky kontingjent ka nevojë për trajtim të specializuar.
Ligji
Dje në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë, kreu i Drejtorisë së Shëndetit Publik, në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja, deklaroi se konsumi është më i lartë në zonat urbane se rurale. Kështu në komision është rënë dakord që ligji për konsumin e alkoolit të ketë ndryshime në mënyrë për të ulur sa më shumë numrin e konsumuesve në radhët e nxënësve. Anëtarët e komisionit janë të mendimit se nëse do të vendoseshin kufizime të orarit, duke lejuar konsumin e alkoolit pasdite apo në orët e vona të natës, nxënësve të shkollave do t’u ndalohej pija në lokale në orarin e paradites apo në drekë kur mbarojnë mësimin dhe ulen në kafe. Në rast se do të ketë abuzime nga ana e bareve apo lokaleve, inspektorët do të kontrollojnë dhe do të vendosin gjoba njësoj si për ligjin e duhanit.
Ndryshimet të cilat duhet të përfshihen në ligj u aprovuan parimisht nga anëtarët e Komisionit të Shëndetësisë, dje në seancën dëgjimore. Deputetët e opozitës raportuan shtimin e problemeve në vend si rezultat i konsumimit të alkoolit. Sipas tyre, shumë akte dhune dhe shumica e aksidenteve, ndodhin nga persona në gjendje të dehur.
Drejtues së Ministrisë së Shëndetësisë thanë se gjatë ndryshimeve të ligjit do të shihet me prioritet, ulja e numrit të konsumatorëve të mitur që pinë alkool duke u vendosur orare nëpër bare në lidhje me tregtimin e tij. Specialistët prezantuan rezultatet e fundit të studimi në shkolla, sipas të cilit rezulton se ka nxënës që kanë konsumuar alkool para moshës 8 apo 12-vjeçare.
“Të paktën 1/3 e nxënësve të shkollave të mesme, sidomos në grupmoshën 17-18-19 vjeç rezultojnë se kanë konsumuar të paktën një pije alkoolike ditët e fundit. Pirja e alkoolit në moshat 11-12 vjeç është prezente, ka vlerësime të ndryshme më shumë në zonat urbane, më shumë djem se vajza”, tha Gazmend Bejtja, Drejtor i Shëndetit Publik, MSH.
Sipas tij, kjo është një e dhënë që dëshmon për një stil jetese që fillon e kultivohet që në moshë të re e fillon të bëhet pastaj persistent në moshë më të rritur e duke filluar më pas me problem”.
30.10.2012
Burimi: Gazeta Shqip