Dy aleatët e NATO-s, Greqia dhe Turqia, hakmarrje me njëra-tjetrën duke mbajtur reciprokisht ushtarë pengje.
Gjykata greke e Apelit ka refuzuar së fundi kërkesën e Ankarasë për ekstradimin e 8 ushtarakëve turq të arratisur.
Dy vjet më parë, pas grushtit të dështuar të shtetit 8 ushtarakët turq kaluan në Greqi me një helikopter.

Aleatët e NATO-s, hakmarrje me pengje, Turqia 2 ushtarë, Greqia 8…
Ndërkohë Turqia nuk ka rikthyer dy ushtarakë grekë, arrestuar para disa ditësh brenda kufirit turk, pasi kishin humbur rrugën.
Kërkesa e tretë turke për ekstradim ndeshi refuzimin e gjykatës greke duke tensionuar në maksimum marrëdhëniet e aleatëve të NATO-s.
Ankaraja akuzon 8 ushtarakët për një rol të drejtpërdrejtë në përpjekjen e dështuar të grushtit të shtetit në vitin 2016.
Turqit kanë publikuar një video, ku disa prej ushtarakëve shfaqen me armë në duar, mbrëmjen e 15 korrikut.
Nisur nga pamjet filmike dhe akti i arratisjes ata konsiderohen tradhtarë dhe komplotistë prandaj kerkohet të ekstradohen në Turqi.
Sipas vendimit të gjykatës greke, nëse ekstradohen 8 ushtarakët, ata rrezikohen të torturohen dhe nuk do të kenë gjykim të drejtë.
Turqia ka heshtur për dy ushtarakët grekë të arrestuar, duke e përdorur rastin si hakmarrje ndaj palës greke.
Situata pritet të shkaktojë përshkallëzim të mëtejshëm të tensionit të vazhdueshëm midis Athinës dhe Ankarasë.
Për Lajm-Shqip
Engjëll Serjani