Aksidenti “Olldashi” dhe lidhja me thënien e Tahirit: S’keni parë gjë akoma!
Analizë nga Ylli PATA
Aksidenti “Olldashi”
Faktet e çuditshme që dalin për aksidentin “Olldashi” dhe lidhja me thënien e Tahirit: S’keni parë gjë akoma!
Nesër mbushën plot 4 vjet nga aksidenti i tmerrshëm ku humbi jetën deputeti dhe politikani i njohur shqiptar, Sokol Olldashi.
Përveç kujtimeve e dedikimeve të ndjera, kryesisht nga miqtë e tij më të afërt, jo vetëm në PD, kanë nisur të dalin në media indicie më shumë se vitet e tjera, në lidhje me aksidentin misterioz.
Atë natë të tmerrshme të 21 nëntorit, gjithçka rreth ngjarjes së rëndë u zbardh brenda 24 orësh. Ndërkohë që, në fillim në publik dolën shumë e shumë pikëpyetje.
Dy nga mediat e rëndësishme në vend: Dita dhe Panorama, këtë herë kanë nisur të nxjerrin disa gjëra më shumë.
Shkrimet flasin në lidhje me njeriun që e pa për herë të parë dhe që di shumë, ekspertizën.
Teoritë konspirative
Mbylljen e shpejtë të autopsisë dhe të tjera pikëpyetje që ushqyen për një kohë teoritë konspirative.
Por këtë herë, duket se ka zhvillime mjaft të forta. Nëse analizohen dhe lidhen me njëra tjetrën çojnë tek një fill apo tek një njeri që di shumë për vdekjen e Sokol Olldashit.
Ky person është Saimir Tahiri, ministër i Brendshëm 4 vite më parë. Ai shkoi personalisht nga të parët në vendin e ngjarjes dhe mbajti gjithçka në mënyrë krejt të kontrolluar, duke mos dhënë asnjë detaj për publikun.
Prokuroria e ka mbyllur hetimin dhe ka përcaktuar se ishte një aksident.
Po atëherë pse kanë dalë këto ditë, disa fakte që nuk ishin thënë kurrë publikisht, sidomos nga qarqe me autoritet?
Saimir Tahiri, deklaroi në ditën e parë të akuzës ndaj tij për çështjen “Habilaj”: “Prisni se nuk keni parë gjë akoma”.
Dita dhe Panorama
Sot në gazetën Dita u botua një analizë e gjatë e Arben Meçe. Ai flet për herë të parë publikisht për prezencën e një femre në makinën e të ndjerit Olldashi natën e tmerrshme.
Duke shtuar se hetimi ishte një lëvizje e dykuptimtë për të futur dyshimin se deputeti i PD-së ishte vrarë.
Ndërkaq, Panorama boton një intervistë me gazetarin Ilir Kadia, ish-këshilltar i Sali Berishës.
Ai tregon një bisedë me Kiun, pronarin e lokalit pranë tunelit të Kërrabës që e kishte mik Olldashin.
Kiu përmend një emër dëshmitari, fshatarin që shkoi i pari te makina.
Detajet
Të dy detajet, dukshëm janë jo ndihmë për hetimin, por që i fusin xixa edhe më shumë.
I pari përmend një femër, që edhe nëse ka qenë në makinë, nuk është pjesa thelbësore e hetimit mbi shkakun e vrasjes.
Dhe tjetri dekonspiron dëshmitarin, duke e vënë atë në rrezik përballë atyre që duan ta fshehin ngjarjen.
Duket se janë lëvizje për të paralajmëruar faktet e radhës që mund të dalin ndoshta nesër, ndoshta në ditët që vijnë.
Fakt është që atëherë, Saimir Tahiri, ministër i plotfuqishëm për kohën ndaloi çdo rrjedhje informacioni.
Më pas u fol që informacionet do të përdoren “në kohën e duhur”.
Po kur është kjo kohë, pasi në fillim u fol për fushatën e 2015-s e më vonë për zgjedhjet parlamentare.
Saimir Tahiri protagonist
Ikën dy palë votime asgjë nuk doli në dritë. Në të dyja Saimir Tahiri nuk ishte protagonist:
Pasi si kandidat i përfolur për Bashkinë e Tiranës nuk u vendos nga Edi Rama që përzgjodhi Erion Veliajn.
Dhe më pas gjatë zgjedhjeve të përgjithshme ishte një i shkarkuar pa një siguri se si do të procedohej me të pas zgjedhjeve.
Siç rrodhën punët, sekretet Tahirit nuk ju nevojitën për të ruajtur apo marrë ndonjë post. Por më keq për të shpëtuar lëkurën.
Në intervistën e dhënë tek Fevziu, ai tha vetëm një shprehje që “di shumë gjëra”, por që nuk foli më shumë.
Nëse ish-ministri di, një nga to është edhe rasti i aksidentit të Sokol Olldashit, ku ishte ndër të parët që shkoi në vendngjarje.
Një gazetar duhet ta pyesë të paktën se ç’pa atë natë pranë Kërrabës.
Por duket se askush nuk e merr guximin, por po nxjerrin çështje anësore, ose ajo që ishte më e rënda publikimi i emrit të një fshatari të zonës që ka qenë dëshmitarë në natën e 21 nëntorit 2013.
Ilir Kadia
Dhe kur e bën një gazetar si Ilir Kadia…vaj halli për të tjerët.
Por edhe pse askush s’e pyet, Tahiri duhet të flasë për çështjen “Olldashi”.
Do të thotë ndokush: po ai ka hallet e veta!
Ndoshta, por do të ishte mirë të shpjegonte atë që Prokuroria apo pse dikush po nxjerr emrat e dëshmitarëve, që duket se është një shantazh i pastër.
Kush nuk do që të rihapet dosja e atij aksidenti që padyshim ndikoi edhe në politikën shqiptare?!
Për Lajm Shqip
Ylli PATA