Deputeti i PS-së, Arben Ahmetaj, ka vijuar edhe sot zbardhjen e mëtejshme të ‘aferës së shekullit’, siç e ka quajtur atë të CEZ Shpërndarje me qytetarët shqiptarë.
“Në pak më shumë se dy vite, një pasuri publike prej disa qindra miliona dollarësh është zvogëluar qëllimisht nga qeveria shqiptare, është privatizuar me një fraksion të çmimit të vërtetë dhe sot, vetëm dy vjet e gjysmë më pas, është firuar e humbur, ndërsa kapitali i kompanisë aktuale është reduktuar në një përqind të asaj që ishte vetëm dy vjet më parë.
Ahmetaj shprehet se ka shumë ditë që shqiptarët bëjnë pyetje se, ku shkojnë paratë e CEZ Shpërndarje, ku shkojnë paratë e tyre, ku shkojnë paratë që mblidhen nga abonentët dhe si është e mundur që CEZ Shpërndarje dhe ajo që ajo bën vazhdon të ngelet në errësirë. Përgjigjen duhet ta japin institucionet shtetërore, së pari duhet ta japë qeveria shqiptare dhe së dyti duhet ta japë Enti Rregullator i Energjisë, të cilët janë përgjegjës të drejtpërdrejtë të monitorimit dhe mbi të gjitha përgjegjës të drejtpërdrejtë të krijimit të kësaj piramide të re, që rëndon në kurrizin e shqiptarëve. Megjithatë, ne si opozitë jemi munduar dhe sot do të hedhim dritë rreth këtij fakti.
Sipas Ahmetajt, në skemën e organizimit të kompanisë CEZ në Shqipëri, kjo kompani ka krijuar disa kompani, të cilat merren me aktivitetin ekonomik dhe juridik të kompanisë. “Cila është arsyeja?! Sigurisht që arsyet mund t’i shpjegojë vetë CEZ dhe Enti Rregullator që sot është një departament shtesë e CEZ shpërndarje. Por ne i tregojmë shqiptarëve një nga instrumentet sesi transferohen paratë nga portofoli i CEZ në portofol të kompanive të tjera dhe konkretisht të kësaj kompanie që quhet CEZ Albania”, thotë Ahmetaj.
CEZ Albania, 30 milionë dollarë si ‘konsulente’ e CEZ Shpërndarje
Çfarë bën CEZ Albania për CEZ Shpërndarje? CEZ Albania është kompani e dizenjuar për të bërë konsulencë. Konsulencë për çfarë?! Këtu fiksoheni këtë kompani, e cila ka marrë në vite sasi të konsiderueshme parash, ka faturuar sasi të konsiderueshme parash ndaj CEZ Shpërndarje. Një nga elementët ku shkojnë paratë e shqiptarëve është këtu brenda. Këtu kam sjellë një grafik të shpenzimeve të konsulencës që CEZ shpërndarje faturohet nga CEZ Albania. Shikoni sesa para faturon CEZ Albania për shërbime konsulence. Në 2009, 2.5 milionë dollarë. 2.5 milionë dollarë shërbime konsulence, një kompanie monopol, e cila jo vetëm që nuk e ka përmirësuar menaxhimin, por ka zeruar pasurinë e shqiptarëve. Në 2010, 7 milionë dollarë. Në 2011, 12 milionë dollarë dhe vetëm në 9 muajt e parë të vitit 2012, 1 milionë dollarë. Një pasuri e tërë mbi 30 milionë dollarë të cilat faturohen në favor të CEZ Albania për arsye që duhet t’i dijë qeveria shqiptare dhe Enti Rregullator.
Energjia sot, 200% më shtrenjtë se në 2005
Sipas Ahmetaj, kanë ardhur nga qytetarë shqiptarë qindra fatura, të cilat tregojnë qartë abuzimin që CEZ shpërndarje bën mbi abonentët shqiptarë, por mbi të gjitha tregojnë indiferencën e Entit Rregullator të Energjisë dhe papërgjegjshmërinë e kësaj qeverie. Papërgjegjshmëri e qeverisë kur qytetarët shqiptarë paguajnë energjinë elektrike 200% më shtrenjtë se në vitin 2005. Kjo është një faturë që unë do t’i lutesha medias edhe ta investigonte. Është një shtëpi e pabanuar, kjo është një faturë reale. Kjo është një banesë bosh e faturuar 104 mijë lekë, pra mbi 1 milion lekë të vjetra. Merrni ekstremitetet e faturës, mund ta investigoni, ky është një abuzim i drejtpërdrejtë, në sytë e Entit Rregullator, në sytë e qeverisë shqiptare. Shembuj të tilla kanë ardhur me shumicë këto ditë. Të dyja dhe qeveria shqiptare dhe Enti Rregullator hesht përballë këtij abuzimi, ndërkohë që në transparencën që po i bëjmë pagesave brenda rrethit të kompanive të CEZ-it, do të habiteni që ka pagesa 250 dollarë orë për konsulencë. 200 dollarë për orë për konsulencë. Pagesa në një orë që merr një nga menaxherët e CEZ Albania është baras me pagesën e një mësuesi në muaj. E megjithatë, po ju them që është një vështirësi shumë e madhe për të marrë informacion nëpërmjet Entit Rregullator, nëpërmjet qeverisë shqiptare për këtë kompani. Enti Rregullator ka dalë dhe thotë CEZ nuk më jep informacion. CEZ ka refuzuar të japë shpjegime se ku shkojnë paratë e shqiptarëve. Sigurisht, patjetër që ka refuzuar sepse qeveria shqiptare dhe Enti Rregullator kanë funksionuar deri më sot si klientë të qeverisë. Ne i tregojmë shqiptarëve se çfarë ka ndodhur me pasurinë e tyre, me zerimin e pasurisë së tyre.
08.11.2012
Burimi: Gazeta Shekulli