Administrata, kasaphana e Berishës, hoqi 37 mijë nga puna
TIRANE– Administrata civile në tetë vitet e qeverisjes së të djathtëve ka qënë nën goditjen e valës së largimeve nga puna. Pavarësisht se kanë qënë të mbrojtur nga statusi i nëpunësit civil, apo dhe Kodi i Punës në rastet kur nuk kanë pasur statusi pasi nuk e parashihte vendi i punës, kjo nuk e ka penguar qeverinë “Berisha” që në tetë vite qeverisje të largonte pa të drejtë mbi 37 mijë punonjës të administratës, thjeshtë për motive politike.
Burimet pranë selisë rozë, e cila në këto vite ka mbajtur evidencë për këto largime nga puna përpos numrit të të larguarve ka bërë dhe një përllogaritje financiare, ku i dëmtuar ka qënë vetë shteti. Pasi këta të larguar nga puna, përmes gjyqeve, përfitimeve të statusit të nëpunësit civil kanë përfituar të drejtën e tyre për t’u rikthyer në detyrë, dhe duke qënë se s’janë zbatuar vendimet e gjykatave për të njejtin vend punë janë paguar 2 ose 3 persona. Kostoja financiare për arkën e shtetit e përllogaritur për këto tetë vite e kalon shumën e 131 milionë dollarëve, vetëm për shkak të largimeve politike nga puna të punonjësve të administratës dhe zëvendësimit të tyre me militantë partiakë.
Vetëm në vitin e parë qeverisës, më saktë në gjashtë muajt e parë të qeverisjes së Berishës, bilanci i largimeve politike nga puna në administratë ishte mbi 10 mijë. Lajmi u bë i ditur referuar një raporti të hartuar nga komisioni hetimor parlamentar i ngritur për këtë qëllim dhe që i përket 4 tetorit të 2006 që analizon periudhën shtator 2005 deri në mars të 2006. I cili u bë publik nga katër deputetët e opozitës së asaj kohe, përkatësisht Blendi Klosi e Ermelinda Meksi të PS, Pëllumb Xhufi LSI dhe Angjelina Kola PSD. Berisha përdori një marifet të qëllimshëm, duke anashkaluar ligjin për nëpunësin civil.
Ai i sillte militantët e PD me kontrata provizore dhe më pas i emëronte zyrtarisht. Raporti ishte rrënues për Berishën, teksa thotë se shkarkimet që prekën 80% të administratës, teksa praktika e listës se pritjeve i ka sjellë shtetit një dëm prej 43 milion euro, sepse për të njëjtin vend pune paguhet nga dy apo dhe tre herë. Sipas këtij raporti, nëpër institucionet e linjës është larguar nga puna 87% e stafit.
Ndërkohë që në entet publike dhe degët në rrethe largimet nga puna dhe zëvendësimi i specialistëve me militantë ka qënë pothuajse në masën 100%. Njëherësh nëpër ministri në 60% të rasteve drejtorët punonin me një numër minimal specialistësh, ndërsa sekretarët dhe drejtorët në Kryeministri janë punësuar me kontrata joligjore, duke penguar kështu aplikimin me konkurs për një vend pune. Madje në disa raste as nuk është bërë thirrje apo lajmërim për vend të lirë pune.
Kishte dhe akuza të tjera, por kostoja financiare përpos shkeljes së të drejtave të njeriut e uljes së cilësisë së punës në administratë, ishte me të vërtetë e lartë. Dhe pjesa më e madhe e punonjësve të larguar për arsye politike, e kanë paditur administratën në gjykatë, ku 83 për qind e tyre e kanë fituar gjyqin. Gjykatat kanë rrëzuar qeverinë dhe institucionet në varësi të saj në 80 për qind të rasteve të largimeve arbitrare nga puna. Dhe kostoja është jo pak, por rreth 131 milionë dollarë.
RIKTHIMET
“Të larguarit nga puna, përmes gjyqeve, përfitimeve të statusit të nëpunësit civil kanë përfituar të drejtën e tyre për t’u rikthyer në detyrë, dhe duke qënë se nuk janë zbatuar vendimet e gjykatave, për të njejtin vend punë janë paguar 2 ose 3 persona”.
Burimi: Shqiptarja.com
02.10.2013