Prej 2 ditësh në krye të Policisë së Shtetit është komanduar zv.drejtori i Përgjithshëm, Rebani Jaupi. Ai ka zëvendësuar provizorisht Haki Çakon, i cili u shkarkua të hënën. Por, për emërimin përfundimtar si drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, duhen plotësuar 3 kritere kryesore. Këto kritere plotësohen edhe nga drejtori i komanduar, Jaupi.
Por duket se Jaupi nuk është emri i vetëm mes drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit, që plotëson kriteret. Mes emrave më të përfolur, janë edhe 6 drejtues të tjerë Policie, ndonëse vetëm 3 plotësojnë kriteret e përcaktuara në ligjin e Policisë së Shtetit, shkruan “Panorama”.
Së fundmi po lakohen si kandidatë potencialë për kreun e policisë së shtetit edhe 6 emra të tjerë.
Një prej tyre është Agron Sojati, me një karrierë të gjatë si drejtues në sektorë të rëndësishëm të Policisë. Aktualisht këshilltar për sigurinë në Kryeministri. Posti më i rëndësishëm që Sojati ka mbajtur së fundmi në Polici, ka qenë ai i drejtorit të Antiterrorit. Si i tillë ai ka marrë pjesë në konferenca mjaft të rëndësishme rajonale e më gjerë, për luftën kundër terrorizmit.
Po kaq i favorizuar për të qenë kreu i Policisë së Shtetit është edhe drejtori i Akademisë së Sigurisë, Bilbil Mema.
Gjithashtu edhe drejtori i Policisë së Shkodrës, Gjovalin Loka, është një prej emrave të lakuar që plotëson kushtet për të qenë drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Nga ana tjetër, kandidatë për këtë post, janë edhe 3 emra të tjerë. Drejtori i Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, Eduart Merkaj.
Drejtori i Policisë së Tiranës, Ardi Veliu e po ashtu dhe drejtoresha e Përgjithshme e Kufirit dhe Migracionit Aida Hajnaj.
Ndonëse kriteret plotësohen nga 4 të parët, edhe emrat e Merkajt, Veliut e Hajnajt, janë lakuar së fundmi si drejtues të mundshëm të Policisë së Shtetit.
Për të qenë drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ligji përcakton 3 kritere, shkruan.
Kushti i parë është grada, që duhet të jetë “Drejtues i lartë”, ose “Drejtues i parë”. Nuk duhet të ketë shtetësi tjetër përveç shtetësisë shqiptare.
Duhet të ketë një karrierë të paktën 15-vjeçare në Policinë e Shtetit, nga të cilat 10 vite në pozicione të larta drejtuese.
11.01.2018