64 deputetë të parlamentit të Maqedonisë votuan miratimin e përdorimit të gjuhëve, që i jep gjuhës shqipe një shtrirje të gjerë edhe nëpër institucionet e larta shtetërore ku nuk përdorej deri më tani.
Ligji thekson se “gjuhë zyrtare në Maqedoni është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik”.
Në nenin e dytë thuhet: “Krahas maqedonishtes, gjuhë tjetër zyrtare është edhe gjuha të cilën e flasin së paku 20 përqind e popullatës dhe alfabeti i saj”.
Kjo ka shkaktuar debate prej disa muajsh nëse gjuha shqipe do të jetë gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoni.
Votimit i ka paraprirë një tension mes deputetëve të opozitës, që u ngrit deri në një zënkë mes Nikolla Gruevskit dhe kryeparlamentarit shqiptar, Talat Xhaferi.
Ish-udhëheqësi i VMRO-së dhe deputet aktual i kësaj partie është ngritur nga vendi i tij dhe së bashku me deputetët e tjerë është drejtuar te Talat Xhaferi për t’i thënë se kërkojnë shqyrtimin e amendamenteve. Kjo ndodhi pasi Xhaferi hapi diskutimin për ligjin për gjuhën.
Gruevski është kapur nga pamjet teksa e ka lagur me një gotë uji kryeparlamentarin.
I ndodhur nën këtë trysni, Xhaferi kërkoi 15 minuta pushim e doli nga salla. Në këtë moment Gruevski ka tentuar ta sulmojë edhe fizikisht. Ai nuk ka mundur për shkak të ndërhyrjes së sigurimit të Kuvendit.
